“Në Radio Televizionin publik italian Rai, së shpejti do të flitet arbërisht”, shkruan Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në faqen e saj.
Ky vendim vjen në kuadër të takimit të 3 korrikut 2023 në Senatin e Republikës italiane, në Romë, në Pallatin “Giustiniani”, ku u mbajt veprimtaria studimore mbi Arsimin dhe Komunikimin për mbrojtjen kushtetuese të pakicave gjuhësore historike arbëreshe në Itali.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe prof. Diana Kastrati, drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Kjo veprimtari e promovuar nga Fondacioni “Crucitti”, me president Demetrio Crucitti, ish-drejtor i selisë së Rai në Kalabri, kishte një rëndësi të veçantë, pasi solli në vëmendje në nivel kushtetues pakicën gjuhësore arbëreshe me iniciativën dhe pjesëmarrjen e zvpresidentit të këtij Senati, Maurizio Gasparri.
Komisioni parlamentar për drejtimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të shërbimeve televizive ka paraqitur ndryshimin e Skemës së Kontratës së Shërbimit ndërmjet Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Radio Televizionit publik italian Rai në vitet 2023-2028.
Në amendamentin e paraqitur nga nënkryetari Maurizio Gasparri thuhet: “Komisioni përcakton zgjedhjen e një selie rajonale të statutit të zakonshëm të Rajoneve, të cilave do t’iu besohen nivelet minimale të mbrojtjes për gjuhën arbëreshe”.
Arbërishtja është gjuha që flitet nga Arbëreshët, një komunitet që shkoi në Italinë si refugjatë në kohën e Skënderbeut, e tani ruajnë gjuhën e vjetër që flitej në atë kohë në historinë e Arbërisë.
Shqipja e pakicës arbëreshe është ndër gjuhët e njohura dhe të mbrojtura me ligj (më 20 dhjetor 1999) në Itali.
Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite nga ky ligj mësimi i gjuhës shqipe në komunat arbëreshe është në vështirësi. Mungesa e fondeve ka çuar në mbylljen e mjaft shkollave në gjuhën shqipe e të sporteleve të saj pranë bashkive në këto qyteza e me një numër çdo vit në reduktim të nxënësve arbëreshe që mësojnë gjuhën amtare.