Në ambientet jashtë Kuvendit, Sali Berisha ka folur për procesin zgjedhor të 14 Majit. Ai thotë se bazuar te raporti i OSBE ODIHR-it, vota në zgjedhjet lokale u kontrollua në mënyrën më të paligjshme.
“Vota e kontrolluar de facto është në vdekje klinike. Raporti konstaton gjithashtu se për kontrollin e votës u përdorën mjetet më të paligjshme, më anti-kushtetueset, mjete që dhunuan kodin zgjedhor, standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Kjo dëshmon se makinerisë së frikës dhe presionit i priu direkt kryeministri shqiptar me kërcënimet e tij banditeske ndaj qytetarëve në rast se do të votonin për kandidatët e opozitës. Tregon se zgjedhjet u kontrolluan nga administrata dhe terroristët e kuq me petkun e patronazhistit bënë gjithçka për të diktuar vullnetin qytetarëve shqiptarë.”
Berisha u bëri thirrje qytetarëve për të dalë në protesta të fuqishme dhe theksoi se PD po bën përgatitjet.
Ai shtoi po ashtu se Partia Demokratike po shkon drejt bashkimit dhe se qëllimi kryesor është rrëzimi i qeverisë aktuale.
“Cilido që e lexon me vëmendje këtë raport gjen se 14 Maji ishte një farsë e vërtetë elektorale ndaj dhe thirrja ime për 600 mijë idealistë shqiptarë të cilët refuzuan me përçmim çdo formë antiligjore të përgatitemi në protesta të qëndrueshme e të fuqishme për të larguar këtë pushtet që bazohet në parimin krimi shndërrohet në votë, vota shndërrohet në krim. Kurrë mos përligjni një votë të vjedhur. PD qëndron fort të udhëheqë shqiptarët. Të ngrihemi kundër regjimit dhe ne po përgatitemi për një lëvizje të qëndrueshme me qëllimin më madhor që shqiptarët të jenë një popull i lirë si popujt e tjerë të rajonit. Procesi është në vazhdim, po bëhet një punë e madhe për bashkimin e opozitës. Drejtim kryesor i PD duhet të jetë përmbysja e këtij regjimi i cili qëndron mbi binomin: Krimi në votë e vota kthehet në krim!”