Ish-ministri i Brendshëm. Saimir Tahiri ende nuk e kishte lënë qelinë e burgut, kur SPAK çeli një hetim të ri për të.
Këtë herë prokurorët specialë nisën hetimin pasurisë së Tahirit, pas sinjalizimit të një banke të nivelit të dytë për një transfertë monetare.
Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije për BalkanWeb se po mblidhen të dhëna brenda dhe jashtë vendit për të gjurmuar pasurinë e Saimir Tahirit dhe për të parë nëse ka fshehje apo elementë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Vendimi i formës së prerë për dënimin me 3 vite e 4 muaj për “shpërdorim detyre” ndaj Tahirit u dha më 4 shkurt 2022.
Ndërkohë një vit e 4 muaj më pas ish-Ministri i Brendshëm u lirua nga burgu pas dy ekspertizave mjeko-ligjore që arsyetonin përse ai nuk mund të qëndronte më pas hekurave për pjesën e mbetur të dënimit.
Në njërën prej ekspertizës thuhej se Tahiri kishte probleme shëndetësore.
Në tjetrën shpjegohej se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk kishte kush të kujdesej për fëmijët.