Ekonomi “Do përdorim inteligjencën artificiale”, Rama: Sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike brenda...

“Do përdorim inteligjencën artificiale”, Rama: Sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike brenda mandatit

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në një diskutim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur besimplotë që brenda mandatit qeverisës, Shqipëria do të ketë një sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike me më shumë komponent teknologjik dhe më pak njerëzor.

Sipas Ramës, kjo bëhet për një proces më të drejtë dhe më transparent për prokurimet publike.

“Po lehtësojmë procedurat për sipërmarrjen. Ne po vazhdojmë punën dhe tani që jemi në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, do të vendosim fokusin tek revolucioni dixhital duke rritur kapacitetet dhe duke shtuar shërbimet e reja. Kemi nisur dhe një punë inovative me inteligjencën artificiale që do të na lehtësojë ne procese të caktuara, duke filluar që nga prokurimet publike për të cilin kemi një projekt shumë ambicioz. Ne jemi besimplotë që brenda këtij mandati, do të kemi një sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponent teknologjik dhe me shumë më pak njerëzor që prokurimet të jenë sa më transparente dhe sa më të drejta në të gjitha nivelet. Kemi ecur përpara dhe me krijimin e një shoqërie publike që do të bëjë të gjitha procesin e blerjeve të përqendruara, çka deri më sot e bën Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, kjo do të jetë një shoqëri publike që do të krijojë shumë më tepër akses dhe do të ketë më shumë llogaridhënie”.

Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se heqja e barrierave për biznesin është një domosdoshmëri teksa ka shtuar se duhen lehtësuar mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri.

“Do t’i japim sipërmarrjeve një pyetësor dhe do të mirëpresim çdolloj sugjerimi nga ju bazuar në eksperiencën tuaj. Heqja e barrierave dhe hapja e kanaleve të frymëmarrjes së organizimit të shoqërisë sonë që lidh bashkë biznesin me shtetin si 2 palë që duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të interesit privat dhe publik janë domosdoshmëri, proces që ka vend për përmirësim. Sot, në këtë fazë duke patur parasysh se janë bërë disa vite që është ecur para mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të bërë një lehtësim tjetër. Ne, po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri”.