Një krim në familje ka tronditur kryeqytetin këtë mëngjes (12 shkurt), ku një punonjës i Gardës së Republikës ka vrarë me armën e shërbimit bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren, Ervilma Seferi.
Menjëherë, policia dhe SHÇBA kanë vënë në pranga, gardistin 44 vjeçar, Alket Arapaj.
Shkaku i vrasjes
Paraprakisht dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë një konflikt i çastit, ku mendohet se gruaja ka kërkuar që të fillonte punë, ndërsa bashkëshorti i saj nuk ka pranuar.
Vrasja me pistoletë silenciator
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur vetëm një gëzhojë dhe dyshohet se vrasje është bërë më pistolete silenciator.
Vrasja në sy të vajzës së mitur
Krimi ka ndodhur në prani edhe të vajzës së tyre të mitur, 4-vjeçare, e cila pas ngjarjes së rëndë është larguar nga familjarët e viktimës.
Autori nuk ka bërë rezistencë
Ende nuk ka një dëshmi të autorit, por mësohet se gardisti nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit nga policia.
Ndërkohë, autori i krimit ka më shumë se 10 vjet që punon në strukturat e Gardës së Republikës.
“Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.4, në bashkëpunim me SHÇBA arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 44 vjeç (punonjës në Gardën e Republikës).
Rreth orës 06:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Allias, ai dyshohet se ka vrarë me armën e shërbimit bashkëshorten, 36 vjeçe“, sqaron policia e Tiranës në njoftimin zyrtar.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave të vrasjes.
Flasin fqinjët
Fqinjët e gardistit Alket Arapaj, i cili vrau gruan e tij janë shprehur të habitur nga lajm që dëgjuan në mëngjes. Sipas tyre, ata kanë qenë një familje shumë e mirë. Ndërsa thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë.
“Familje e mirë, ka kaq vite këtu. Si nënë edhe i ati shumë i mirë. Edhe ai ishte shumë i mirë, ishin njerëz me fe, se faleshin. Ne jemi habitur kur dëgjuam këtë lajm. Do ketë qenë ndonjë moment, ose do ta ketë bërë padashje. Nuk ka mundësi që një njeri kaq i mirë të vriste gruan. Edhe gruaja ishte shumë e mirë”.
“Asnjë të shtënë nuk kam dëgjuar. Ishte familje e rregullt”.
“Kur e morëm vesh tani kemi mbetur pa fjalë. Kanë vite që jetojnë edhe këta”.