Sport PSG nën akuzë, edhe Mbappe në shënjestër: Lider vetëm për festa

PSG nën akuzë, edhe Mbappe në shënjestër: Lider vetëm për festa

Mbappe pas humbjes se fundit ne Champions

Shtypi francez ka shpërthyer pas humbjes ndaj Newcastle në Champions, duke shigjetuar edhe asin e sulmit. Në bankën e të akuzuarve edhe trajneri Luis Enrique.

Ishte e rëndë humbja 4-1 e së mërkurës, që komplikon rrugëtimin në Champions, ndaj dhe PSG ka përfunduar në syrin e ciklonit. Tifozët dhe shtypi kanë reaguar ashpër, duke sulmuar edhe Kylian Mbappé, të cilin e kanë përkufizuar si “lider të festave parisiene”.

“Kujtoj vitin e kaluar frazën e tij të famshme kundër Neymar-it: ‘Duhet të ushqehemi mirë dhe të flemë mirë’. Ka bërë një përgatitje të dobët pas kaosit që krijoi, pastaj duhet të punonte fort, – ka thënë Daniel Riolo, editorialisti i ‘RMC Sport’. – Por po bëhet lider festash në Paris.

Është më shumë se një problem: duke marrë në konsideratë festat që Mbappe po organizon dhe reputacionin që po ndërton në Paris, me gjithë njerëzit që flasin për të. Duhet të ketë shumë kujdes për gjërat që mund t’i ndodhin në të ardhmen”.

Përveç Mbappe, në qendër të kritikave është edhe trajneri Luis Enrique, i sulmuar ashpër për faktin që përdori rreshtimin 4-2-4 ultra ofensiv pa asnjë ekuilibër.

“Jam përgjegjësi kryesor i rezultatit. I pari dhe i vetmi përgjegjës. Nuk kishte asnjë problem me sjelljen e lojtarëve në fushë, – tha trajneri spanjoll pas dështimit në tokën angleze. – Rezultati është i drejtë, por pak i ekzagjeruar. Jam i kënaqur me atë që bënë lojtarët, përveçse 30 metrave të fundit. Bënë atë që prisja prej tyre”. Kjo e 30 metrave të fundit pritet të rrisë tensionet pikërisht me Mbappe.