Militantët palestinezë në Rripin e Gazës lëshuan dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e së shtunës. Katër persona raportohet se humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në jug të vendit. Autoritetet lëshuan alarmin për sulme ajrore në mbarë vendin, duke përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Nga kundërpërgjigja, u vranë 2 persona në Gaza.
Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, shpalli fillimin e operacionit “Al-Aksa Storm” si dhe u bëri thirrje grupeve të armatosura në Liban që t’i bashkohen luftës kundër Izraelit.
Videot e postuara në mediat sociale treguan persona të armatosur palestinezë me uniformë brenda qytetit kufitar izraelit Sderot. Në Gaza pati breshëri raketash ndërsa banorët raportuan për përleshje të armatosura përgjatë gardhit ndarës me Izraelin, pranë qytetit jugor të Khan Younis.
Qindra banorë në Rripin e Gazës u larguan nga shtëpitë e tyre në pjesën verilindore të territorit palestinez. Gjithashtu edhe ushtria izraelite u ka bërë thirrje njerëzve që jetojnë pranë kufirit me Gazën, të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.
Kreut i opozitës izraelite, Yair Lapid ka deklaruar se në Izrael është shpallur gjendja e gatishmërisë së luftës. Ushtria ka paralajmëruar se Hamasi do të paguajë një çmim shumë të rëndë. Pas sulmit të fundit, aeroportet lokale në Izraelin qendror dhe jugor, u mbyllën.
Sulmet e ndërsjella vijnë pas javësh tensionesh të shtuara përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën dhe luftimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
200 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite këtë vit. Tensionet janë përhapur edhe në Gaza, ku aktivistët e lidhur me Hamasin zhvilluan demonstrata të dhunshme përgjatë kufirit izraelit në javët e fundit të cilat u ndërprenë në fund të shtatorit pas ndërmjetësimit ndërkombëtar.