Një ditë pas nisjes së sulmit të befasishëm të Hamasit në Izrael, raportohet për 700 viktima nga të dyja palët.
Ushtria izraelite thotë se ka ende 8 “pika angazhimi” me militantët e Hamasit brenda territorit të saj, megjithëse pretendon se ka rimarrë kontrollin e 22 vendndodhjeve në jug të vendit. Hamasi thotë se “luftimet e ashpra” vazhdojnë.
Kryeministri, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ka hyrë në një “luftë të gjatë dhe të vështirë” pas sulmit të paprecedentë nga Hamasi. Ushtria izraelite thotë se dhjetra izraelitë, duke përfshirë gra dhe fëmijë po mbahen peng në Gaza.
Ambasada e Izraelit në Turqi, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të Izraelit tha se të paktën 300 izraelitë janë vrarë deri më tani dhe dhjetëra janë rrëmbyer.
Izraeli paralajmëroi Gazën për sulme hakmarrëse dhe u kërkoi qytetarëve në Gazë që të linin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në vende të tjera. Sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, më shumë se 400 palestinezë janë vrarë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë kapur.
Luftimet në jug të Izraelit midis militantëve të Hamasit dhe forcave të mbrojtjes izraelite vazhdojnë. Ka pasur gjithashtu disa raporte për sulme ajrore gjatë natës në Gaza. Kryeministri izraelit, Netanyahu ka thënë se Izraeli do të ndërpresë energjinë dhe furnizimet e tjera në zonën e bllokuar.
Dënimi ndërkombëtar i sulmit të Hamasit ka qenë i fortë, me presidentin amerikan Joe Biden që shprehu mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Amerikës për Izraelin.
Ndërkohë, zyrtarë të Hamasit thanë për BBC se Irani e mbështeti sulmin. Arabia Saudite ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit, duke thënë se kishte paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që rrjedhin nga pushtimi i vazhdueshëm.