Politika Basha: Deputetëve t’u hiqet imuniteti para ndjekjeve penale nga SPAK

Basha: Deputetëve t’u hiqet imuniteti para ndjekjeve penale nga SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konfirmon nismën e paralajmëruar një ditë më parë nga PD, për të hequr imunitetin të deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale Basha tha se brenda muajit amendamenti për këtë çështje do depozitohet nga Grupi Parlamentar i PD:

“Brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë:

1- Të hiqet imuniteti i deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u.

2- Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij.

Pse duhet të ketë imunitet deputeti, kur SPAK ndërmerr një hetim ndaj tij apo ndaj saj? Pse një fermer për një kredi për pompën e ujit shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, kurse një deputet apo ministër që akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro nuk shkon dot pa iu hequr imuniteti me tam tame e me ceremoni?

E ndërkohë merr arratinë sepse e ka marrë vesh e gjithë bota siç është rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës, pse? Kjo është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur para ligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar.

Po kështu ne do kërkojmë që Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij. Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe personat me kartelë psiqike.

Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh. Kjo duhet të marrë fund. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, duhet të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ata që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin si gënjeshtar, mashtrues dhe shpifës.

Vetëm kështu i japim fund politikës së privilegjeve për pushtetarët, për të ofruar politikën në shërbim të njerëzve.”