Sali Berisha publikoi këtë hënë videon e atentatit ndaj Salvator Kaçit. Në një deklaratë nga selia blu, Berisha tha se “aktet horror në farsën elektorale të 14 Majit, mbeten dëshmi flagrante e asaj që kemi thënë se në këtë farsë, krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim”.
“Me datën 14 Maj, këtu së bashku kam denoncuar atentatin e dështuar, të organizuar nga bandat kriminale, ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvator Kaçi, i cili po kalonte së bashku me të birin, po udhëtonte, dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit, e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal. Atë ditë Edi Rama reagoi menjëherë, me një cinizëm dhe unë jam këtu për të paraqitur para jush këtë video, në të cilën tregohet qartë se si kriminelët i zunë rrugën makinës së tij dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan”, u shpreh Berisha.
Siç duket nga pamjet që ka shpërndarë Berisha, makinës së Kaçit i afrohet me shpejtësi një makinë e bardhë e cila i pret rrugën, duke e detyruar shoferin që të ndalojë.
Nga makina e atentatorëve dalin dy persona, që qëllojnë me breshëri plumbash ndaj makinës ku ndodhej Kaçi. Reagimi i shpejtë i shoferit ka bërë të mundur largimin e shpejtë.
Sipas Berishës, kjo video “vërteton edhe njëherë se mandatet e krimit kurrë nuk duhet të pranohen dhe kurrë nuk duhet të njihen”.