Bota Erdogan i kërkon Izraelit të mos sulmojë “vend e pa vend” në...

Erdogan i kërkon Izraelit të mos sulmojë “vend e pa vend” në Gaza

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka folur me homologun e tij izraelit Isaac Herzog, duke i kërkuar atij që të mos sulmojë “vend e pa vend” Gazën.

Kështu ka bërë me dije presidenca turke.

Po ashtu thuhet se Erdogan ka folur edhe  me presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas për situatën në Gaza.

Sipas një deklarate të transmetuar nga agjencia zyrtare palestineze WAFA, Erdogan ka thënë se Turqia po punon gjerësisht për të ndaluar “ciklin e dhunës” atje.

Numri i të vdekurve nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës ka shkuar në 436, duke përfshirë 91 fëmijë, tha ministria e Shëndetësisë në Gaza, në një njoftim rreth viktimave dhe të plagosurve në rajon.

Në njoftim u bë e ditur se në tri ditët e fundit në sulmet izraelite në Gaza kanë humbur jetën gjithsej 436 persona, prej të cilëve 91 fëmijë dhe 61 gra, kurse janë plagosur 2.271 persona, prej të cilëve 224 fëmijë dhe 151 gra.

Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 800 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.300 të tjerë janë plagosur në luftime.