Memaliotët më në fund, festuan me madhështi festën e tyre, jo vetëm të shenjtë, por edhe madhështore të pagëzuar, “Memaliaj na thërret”. Ishte kjo një ëndërr e shumëpritur, që prej ditës së themelimit të qytetit tonë.
Festa u zhvillua për tre net rresht në datat, 17, 18 dhe 19 gusht, net këto magjike, jo vetëm për nga atmosfera festive që u dhuroi organizimi, dekoracioni, performanca e larmishme e artistëve si individ dhe në grupe të zhanreve të ndryshme, prania e kryetarit të bashkisë z. Albert Malaj me administratën e tij dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, personalitete të qytetit që përcollën përshëndetjet e tyre të përzemërta në këto data të shënuara, prania e memaliotëve me banim në qytet, por edhe të atyre të shpërndarë nëpër trevat shqiptare dhe nëpër botë.
Hapja e natës së parë festive, u bë me tinguj dhe melodi muzikore, për nder të minierës dhe të atyre që kanë punuar në këtë ndërmarrje heroike, tinguj këto që shoqëruan hyrjen prezantuese që bëri spikeria e Bashkisë, Kjo e fundit, pasi foli për aktivitetin dhe rëndësinë e tij, i dha fjalën, znj. Liljana Jonuzi (Sala), si një ndër aktivistet me kontribute kryesore ndër vite, në jetën kulturore-artistike të qytetit dhe më gjerë. Përgjatë fjalës së saj përshëndeste, ajo thirri në podium dy vajza memaliote, të cilat mbanin në duar buqeta me lule dhe i nisi ato për t’i vendosur tek shtatorja e minatorit që ndodhet në sheshin kryesor në qendër të qytetit, të cilin e kanë pagëzuar “Sheshi minatori”.
Vajtja e vajzave tek shtatorja, u shoqërua me poezitë e saj të krijuara enkas për minierën dhe minatorët, heronjtë tanë, të cilët meritojnë nderime të larta në çdo kohë dhe ndër breza. Pas kësaj ceremonie nderimi, ajo ftoi në podium kryetarin e Bashkisë, z. Albert Malaj, i cili përcolli një përshëndetje dinjitoze për të gjithë të pranishmit dhe memaliotët kudo që ndodhen. Fjalën e radhës e mori, poetja Enkeleida Fejzo, e cila krahas përshëndetjeve dhe rëndësisë së kësaj feste, foli edhe për strategjinë dhe projekte që nëse vihen në jetë, padyshim që do të rikthejnë, jo vetëm normalitetin, por do e çojnë më tej progresin e jetës së komunitetit në këtë qytet.
Personalisht, nuk kam qenë në këto ditë festive, që koha do t’i shenjtërojë, pasi, si gjithë bashkëqytetarët e tjerë që punojnë dhe jetojnë me familjet e tyre të shpërndarë nëpër botë, nuk patëm mundësin të vinim, ngaqë kryetari i bashkisë, z. Albert Malaj me administratën e tij, na befasoi të gjithëve, me vendimin që u morë në kohë rekord, si për pagëzimin, legalizimin, organizimin, por edhe materializimin e kësaj feste. Padyshim, që edhe ne që nuk ishim prezent, përjetuam emocione të forta.
Për të pasqyruar vazhdimësinë e kësaj feste, po sjellë përshkrimin që i ka bërë në faqen zyrtare të Bashkisë, nëpunësi i bashkisë, z. Gesti Hysesani, i cili mbulon departamentin e arsimit e të kulturës. Në vazhdim ai bënë publike si më poshtë:
“Mbrëmja e parë e festës “Memaliaj na thërret” ishte e magjishme. Atmosfera festive vazhdoi deri në mesnatë, duke sjellë argëtim dhe shumë atmosferë në Memaliaj, nën ritmet e muzikës popullore, të lehtë si dhe Pop Rock dhe interpretimin e këngëtarëve të mirënjohur si, Liljana Kondakçi, Alket Zaimi (Djemtë e Vjosës), Niki Zaimi & Band, Arben Ibrahimi (Erë e Tepelenës), Fatos Vrenozi, Grupi Polifonik Memaliaj. Ndërsa nuk munguan fjalët përshëndetëse të personaliteteve të qytetit që kanë dhënë kontribut ndër vite si, Enkeleida Fejzo (poete dhe presidente e shoqatës “AlbAcces Open”), znj. Liljana Jonuzi, Dr. Sefer Shehu si dhe vlerësime të merituara me “Çertifikatë Mirënjohje”, nga ana e kryetarit të bashkisë. Festa nisi me vendosjen e buqetave me lule pranë shtatores së minatorit, në nderim të kontributit të minatorëve në ndërtimin e qytetit Memaliaj dhe u shoqërua me një panair me pjesëmarrjen e“Vila Sofia Gllavë”, “Sancho Farm Albania”, “Bujtina Vjosa”, restorant “Gjoni”, artizanin Fatri Shehu për të promovuar traditat dhe kulturën e zonës.
Nata e dytë e festës, “Memaliaj na thërret” ishte akoma dhe më elektrizuese.
Performancat e këngëtarëve të mirënjohur si, Flamur Cana me grupin e tij “Simbol”, grupi “Alternativ” me Jonald Haxhia dhe Pluton Mema, Bashkim Deshiku, Ferdinand Ibrahimi, Arben Ibrahimi, grupi polifonik “Memaliaj”, talentet e qytetit si, Paola Shehu dhe vajzat e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, i dhuruan publikut memaliotë një spektakël të vërtetë muzikor. Nuk munguan përshëndetjet e personaliteteve të qytetit si, z. Xhevit Kacorri dhe publicisti e poeti, z. Daut Vela, i cili u vlerësua me “Çertifikatë Mirënjohje”. Në kuadër të 75-vjetorit të krijimit të ekipit të “Minatorit”, kryebashkiaku z. Albert Malaj vlerësoi me “Çertifikatë Mirënjohje” edhe disa ish-futbollistë, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ngritjen e emrit të ekipit “Minatori” ndër vite.
Mbrëmja e djeshme ishte magjike. Emocionet dhe krenaria mbizotëruan edhe në natën e tretë të aktivitetit festivë, “Memaliaj na thërret”, duke i dhuruar qytetarëve një spektakël të vërtetë deri në orët pas mesnate nën moderimin e prezantueses shumë të njohur të ekranit, Silvana Braçe. Artistë të shumtë performuan në sheshin kryesor të qytetit si, Kozma Dushi, Eranda Libohova, Pëllumb Elmazi, Ferdinand Ibrahimi, Arben Ibrahimi, Ogert Agaj, miqtë tani nga Vlora të grupit folklorik “Bilbili”, grupi polifonik “Memaliaj”, fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve duke kënduar dhe kërcyer bashkë me publikun. Nuk munguan dhe vlerësimet prej kryetarit të bashkisë, z. Albert Malaj për personalitete që kanë dhënë kontribut të shquar në qytetin Memaliaj, siç është edhe mjekja e njohur për memaliotët, Teuta Gjokoli. Përgjatë tre netëve magjike të festës, “Memaliaj na thërret” mblodhi rreth vetes shumë memaliotë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, në këtë aktivitet që në filozofinë e tij ka takimin e brezave me njëri-tjetrin. Në mbyllje të siparit të parë të aktivitetit socialo-kulturor “Memaliaj na thërret”, një falënderim i veçantë shkon për sponsorat tanë që bën të mundur financimin e tij.
Falënderim i veçantë shkon për “Alb Building” sh.p.k me administratorë, Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha, për znj. Enkeleida Fejzo dhe për “Uji i Ftohtë Tepelenë”, me shpresën që vitin tjetër të na bashkohen më shumë dashamirës në këtë rrugëtim. Mirënjohje të thella shkojnë për çdo të ftuar, për publikun memaliotë dhe jo vetëm, për punonjësit e bashkisë, organizatorët dhe grupin e punës që bënë të mundur realizimin me sukses të këtij aktiviteti festiv “Memaliaj na thërret”, festë të cilin do ta festojmë dhe gazojmë së bashku edhe në të tjera aktivitete!”
Ajo që desha t’i shtoja këtij përshkrimi dokumentar, janë emrat e polifonistëve të Grupit Polifonik “Memaliaj”, i cili përbëhet nga Sokol Metusha, Lavdërim Hyseni, Gramoz Caca, Krenar Caca, Luan Halili dhe Xhafer Nuha. Ndërsa emrat e polifonistëve të Grupit Folklorik Bilbili të qytetit të Vlorës, i cili është i mirënjiohur në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare, janë: Sinan Gjoleka, Taire Bozhani, Dëfrim Mustafaraj, Valbona Nora, Trifon Malaj, Viktor Gjoka, Bilbil Basho me drejtues të grupit Sejmen Gjokoli.
Janë me dhjetëra përshkrime nga të pranishmit në këtë festë, por po sjellë një prej tyre. Është përshkrimi që ka bërë edhe Inxh. Sejmen Gjokoli, të cilën e ka publikuar tek profili i tij në Facebook dhe po ia bashkangjis këtij shkrimi:
“Memaliaj, si asnjëherë tjetër..!
Pas më shumë se 30 vitesh, u gjenda në Memaliaj pas një ftese të Kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, z. Albert Malaj.
“Memaliaj na thërret” ishte slogani që për tri mbrëmje mblodhi në sheshin qendror të qytetit, memaljotët nga çdo anë duke e kthyer atë në një amfiteatër gjigand, me sfond Lapidarin simbol të qytetit.
Grupe dhe këngëtarë të ndryshëm, bij të këtyre anëve por edhe të tjerë përtej Memaliajt e Tepelenës, performuan krijimet e tyre më të mira. Folku erdhi plot shkëlqim nga Grupi Polifonik i Qytetit por edhe nga Folk Grup “Bilbili” i Vlorës, i cili për të parën herë përformoi në qytetin me histori të madhe nëntoke.
Në këtë qytet shkova rininë; këtu u formova më së shumti si inxhinier, por edhe veprimtar shoqëror; këtu krijova familje e këtu së bashku me Teutën, bashkëshorten time, prindëruam të tre fëmijët tanë.
Thuajse i gjithë qyteti i dalë në sheshin “Minatori”, i bërë njësh me atmosferën elekrizuese të festës popullore. Një inisiativë e shkëlqyer e kryebashkiakut të qytetit, jo thjesht për t’i dhënë qytetit një gjallëri të jashtëzakonshme për tri mbrëmje me radhë por, kryesorja; për t’i dhënë qytetit një shpresë të re; për t’i dhënë një impuls të ri jetës së qytetit që meriton të mbahet, jo vetëm gjallë por edhe dinjitetshëm.
Memaliaj është qyteti që i tëri ka qenë për njëzetë e katër orë në lëvizje dhe ku i tëri pulsonte me pulsin e minierës më emërmadhe të qymyreve në vend.
Ai tani duhet të mbahet, jo vetëm për të sotmen e të ardhmen, por edhe si amanet i brezave të tërë të minatorëve e intelektualëve që në këtë qytet shkrinë rininë madje disa dhanë edhe jetën e tyre.
Duket se Albert Malaj, kryetari i sapo ulur në karrigen e të parit të qytetit e zonës përreth, e ka kuptuar mirë këtë mesazh që vjen prej të vdekurve e të gjallëve.
Nga ato që përjetova këtë mbrëmje, dua të besoj se ajo që kërkojmë e duam të gjithë për Memaliajn, në vitet që vazhdojnë do të ndodhë.
Memaliaj, si këtë mbrëmje të pafsha përherë! 19. 08. 2023”.
Në këto mbrëmje festive nga më të gëzueshmet që janë parë në qytetin e Memaliajt, e bënë më madhështore, kur të pranishmit përjetonin repertorin e larmishëm me interpretimin e këngëve dhe valleve, që përçonin vlera nga më të mirat kulturore-artistike, të cilat mbushnin me gëzim dhe hare, jo vetëm zemrat e brezave që ndodheshin aty, por edhe të atyre që e ndiqnin nëpërmjet faqes Memaliaj në Facebook dhe mediave që përcillnin këtë festë!
Të shumtë ishin memaliotët me banim nëpër vend dhe botë, të cilët shprehnin urimet e tyre për këtë festë dhe se do të mundoheshin për të krijuar mundësinë, për të qenë të pranishëm edhe ata në fesat e ardhshme.
Kjo festë realizoi ëndrrën e memaliotëve, të cilët kishin kohë që e kërkonin nëpër bisedat e tyre dhe më gjerë, por edhe tek qeveritë vendore që kanë kaluar në këtë qytet!
Tek të gjithë memaliotët ishte rrënjosur në memorje festa e “27 Qershorit”, e cila është festuar prej dekadash në këtë qytet të themeluar në vitet e sistemit të kaluar, festë kjo që nuk përkon me asnjë vlerë historike për memaliotët, arsyet, të cilat i kemi përmendur edhe në shkrime të tjera dhe nuk e shikoj të arsyshme t’i rikthej, memaliotët ngelën pa festë që nga viti 1991 ku filloi ndryshimi sistemeve, e deri në mesin e viteve 2000. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, memaliotëve u mungonte një festë si dikur që i bënte të gjithë bashkë edhe pse jetonim në një sistem që gëzoje liri të diktuar dhe të izoluar, nga pjesa tjetër planetit.
Atij që i takojnë meritat për ideimin dhe organizimin e një feste të parë dhe të shumë kërkuar prej kohës nga memaliotët, është kryetari i bashkisë së asaj kohe, z. Albert Zhupa, i cili më 18 korrik 2011, i dhuroi një atmosferë festive memaliotëve, me anë të një aktiviteti festiv kushtuar sportistit memaliot, Foto Strakosha. Kjo festë u organizua për të vlerësuar dhe nderuar kontributin e këtij sportisti në shkallë vendi dhe atë kombëtar, ku na bënë të gjithëve krenar dhe për këtë, atij i’u dhurua vendimi i Këshillit të Bashkisë titulli “Qytetar Nderi i Memaliaj”. Në vitet në vazhdim, pati edhe disa cerëeoni të tjera të kësaj natyre si dhe të asaj të inaugurimit të stadiumit “Karafil Asllan Caushi”.
Të gjitha këto ditë festive i kemi përcjellë në Facebook, tek “Faqja Memaliaj”, të cilën e kam hapur më 11 prill 2010. Po në fillimet e kësaj faqeje kam shkruajtur shpesh telegrafisht, për nevojën e një feste për memalitët. Memaliotët me banim në Athinë, pas viteve 1990-të kishin mbi 7-8 vjet që mblidheshin dhe e festonin festën e “27 Qershorit”, tek tavernua e marr me qira nga memalioti, Hasim Zhupa, i cili ka merita të veçanta për këtë organizim së bashku me memaliotët e tjerë si, Arben Haxhiraj, Arjan Myftari, ..etj. Po në “27 Qershor” të vitive 2015 dhe 2016, organizatorë për dy vjet rresht ka qenë edhe memaliotja Roza Shehu (Dashi). Gjejë rastin që të përmend edhe emrat e memaliotëve të tjerë si: Medin Dashi, Dhurata Jonuzi, Bektash Caushi, Telemak Bello, Zaho Dashi, Viktor Muçi, Luiza Dashi, Donika Kanani, Sokol Velaj, Leka Çela, mjeshtri i klarinetës, Hysni Osmani i njohur me emrin e shkurtuar Ciro, Viron Dine, Marsela Dine, Valbona Mihali, Leonidha Miti, Albana Miti, Markelian Gjici, Zhaneta Dashi, Valbona Durmishi, …etj. të cilët mbanin vazhdimësin e traditës dhe me këtë gjestë frymëzonin edhe memaliotë të tjerë.
Një mirënjohje të thellë shkon edhe për çiftin memaliot, Hatixhe dhe Robert Qendro, ku më “27 Qershorin” e viteve 2012 dhe 2013, organizuan një minifestë tek sheshi përpara lokalit të tyre “Bar Europa”, duke patur të ftuar memaliotët Agron Llaka, Foto Strakosha, grupe dhe këngëtarë të zhanreve të ndryshme, për t’i dhënë gjallëri jetës në këtë qytet të braktisur nga qeveritë. Përveç përgëzimeve dhe urimeve për këtë minifestë që u përcollën nëpërmjet faqes Memaliaj, duke parë se ishim ende një qytet pa festë, filluan edhe reagimet duke theksuar se një festë në fund të çdo muaji gusht, do të jetë një mrekulli për të gjithë memaliotët, të cilët do të kenë mundësi të kthehen në vendlindje dhe të çmallen me njëri-tjetrin dhe për t’i dhënë sadopak gjallëri qytetit.
Kjo ndikoi të frymëzonte bashkëqytetarin tjetër, këngëtarin Fatos Vrenozi, i cili organizoi një mbrëmje festive më 23 gusht 2014, tek bar restoranti “1 Maj” (të cilin e ka marrë në përdorim), duke ftuar aty të gjithë, jo vetëm ish këngëtarët, aktorët, regjisorët, drejtorët, instrumentistët, kompozitorët, udhëheqësit artistikë, skenografët, kino operatorët dhe prestidigjitatorët, që kanë dhënë kontributin e tyre në kinoklubin e qytetit Memaliaj, por edhe artistë, këngëtarë dhe grupe muzikore që kanë dalë mbas vitit 1990-të dhe do ta pagëzonte si “Mbrëmja e artit memaliotë”. Në këtë mbremje festive ku mblodhi më shumë se dy mijë memaliotë, interpretuan edhe komedianët e mirënjohur, Agron Llaka, Myzafer Abedini dhe Agim Lika, rregjizori i ardhur enkas nga Nju Jorku. Përgjatë mbrëmjes festive u bë e ditur në publikë se do të jetë në dobi të komunitetit, nëse bashkia vendos që të organizojë një festë të tillë, në çdo fund gushti. Kjo festë u bë me shpenzimet e memaliotit, Fatos Vrenozi, i cili ishte jo vetëm iniciatori dhe organizatori, por edhe donatori. Nga bashkia pati vetëm mbështetjen nga ana dekorative dhe qendrën e zërit, por që nuk pati asnjë përfaqësues të saj në këtë mbrëmje festive.
Një ditë më parë, më 22 gusht 2014, në atmosferën e kësaj feste, komediani dhe aktori i mirënjohur, Mehdi Malka interpretoi një monodramë përpara bashkëqytetarëve të tij. Pas kësaj atmosfere festive, nuk pati asnjë interesim nga qeveritë bashkiake të Memaliajt edhe pse kam publikuar shkrimin “Memaliaj, qyteti pa festë”, në gazetën e kohës “Tirana Observer”; pa harruar që së bashku me bashkëqytetarë të tjerë, e kemi kërkuar disa herë këtë festë në faqen “Memaliaj”.
Duhej të fitoheshin zgjedhjet në 14. 05. 2023 për qeverisjen vendore nga z. Albert Malaj, i cili përfaqësonte koalicionin “Bashkë fitojmë”, për të reaguar pozitivisht kundrejt një statusi tim të postuar më 23. 07. 2023 tek faqja “Memaliaj” me përmbatje “Memaliotët janë ende në pritje që Bashkia të vendos të dielën e parë të çdo gushti, si datë për festën “Takim brezash”. Aty u shprehën edhe bashkëqytetarë të tjerë, të cilët mendonin se një datë në mesin e muajit gusht, do të ishte më e përshtatshme për të gjithë, për të marr pushimet e gjata vjetore. Falë dëshirës dhe vendosmërisë së kryetarit të bashkisë, z Albert Malaj, mbështetjes së administratës së tij dhe atë të Këshillit Bashkiak, festa u miratua, legalizua dhe u organizua në një kohë rekord. Ajo u jetësua në datat 17-18 dhe 19 gusht. Festa u pagëzua “Memaliaj na thërrret”, ku mendohet se kjo gjetje e kujdesshme, të spikatur dhe e domosdoshme për vetë kohën, është bërë nga vetë kryetari i bashkisë, duke patur parasyshë vështirësitë që po përjeton bashkia për mbi tre dekada.
Përjetimi i kësaj feste madhështore, u shoqërua me shumë emocione, jo vetëm nga pjesëmarrësit, por edhe nga të gjithë memaliotët kur mësuan për shënjtërimin e kësaj feste!
Të jem i sinqertë, nuk isha shumë i sigurt se kjo do të realizohej, duke marr parasysh, jo vetëm se kërkesat tona për këtë festë janë shpërfillur me dhjetra herë nga tre kryetarët e dekadës së fundit, por aq më shumë duke menduar se kryetari i sapo zgjedhur, z. Albert Malaj, do ta kishte shumë të vështirë për të marr një vendim pozitiv dhe ekzekutiv për vetë kohën e shkurtër dhe vështirësitë financiare që përjeton bashkia.
Para se të mbyllë këtë shkrim të gjatë, dua të shpreh se e pashë të arsyeshme që t’i sillja këto detaje të vlefshme, për t’ia bashkangjitur këtij shkrimi historik, për të dokumentuar përpjekjet e kurorëzimit të kësaj maratone, e cila shënon, jo vetëm fillimin por edhe shenjtërimin e kësaj maratone të re, që do të festohet ndër breza!
Edhe njëherë e ritheksoj: mirënjohjet më të thella shkojnë veçanërisht, për kryebashkiakun, z. Albert Malaj, i cili na befasoi të gjithëve me përkushtimin e tij fisnik, adminisratën e tij, Këshillin Bashkiak, artistët me grupet e tyre, të ftuarit, sponsorizuesit dhe në mbyllje, thesarin e shtrenjtë që janë të gjithë memaliotët me shpirtin e tyre të mrekullueshëm!
Edmond Ismailati