Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.
Ai u arrestua me kërkesë të SPAK, pasi rezulton të ketë pasur rol të rëndësishëm në grupin kriminal të trafikut të drogës në Fushë Kuqe.
Metaj ka pranuar njohjen dhe takimet me narkotrafikantin Gëzim Çelën.
Sipas tij këto takime kanë qenë pasi kanë pasur njohje të mëparshme.
“Kam bërë gabim, po e kam bërë, pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot takimin”, tha ai.
Burime bëjnë me dije se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, mes tyre edhe baronin e drogës Gëzim Çelaj, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.
Veprimtaria kriminale është arritur të dokumentohet me prova të pakundërshtueshme nga SPAK, përmes një numri të lartë të celularëve të sekuestruar në operacionin “Flakë në Det” të organizuar në muajin gusht ku janë zbuluar edhe biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelajn dhe dy të tjerët të shpallur në kërkim, Arben Dalipaj banues në Vlorë dhe Roland Guzo nga Durrësi.