Bota “Lufta ka edhe një moral”, Erdogan: Izraeli po bën masakër ndaj civilëve...

“Lufta ka edhe një moral”, Erdogan: Izraeli po bën masakër ndaj civilëve në Gaza

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj aksionit të Izraelit në Rripin e Gazës, duke theksuar se përgjigjja me raketa ndaj Hamasit ka devijuar në një masakër mbi civilët.

Në një takim të grupit parlamentar të partisë AK, Erdogan kritikoi bombardimin pa mëshirë të Gazës, duke thënë se lufta duhet të ketë një moral.

“Ne besojmë se lufta ka edhe një moral. Ne kundërshtojmë vrasjen e civilëve në territorin izraelit. Ne kurrë nuk e pranojmë vrasjen e të pafajshmëve në Gaza. Një konflikt i kryer duke i ndërprerë ujin, rrymën elektrike, hyrjet dhe daljet e një qyteti, shembjen e infrastrukturës së tij, prishjen e të gjitha objekteve të adhurimit, nga xhamitë te kishat dhe shkatërrimin e ndërtesave në të cilat jetojnë civilët me bomba, nuk është një luftë, por një masakër”, tha Erdogan.

Erdogan këmbënguli se nëse sulmet në Gaza vijojnë me masakër mbi civilët, atëherë Izraeli do të vendoset në një vend të padëshiruar, duke u trajtuar nga ndërkombëtarët si një organizatë dhe jo shtet.

“Sulmet ndaj Gazës mund ta shtyjnë Izraelin në një pozicion të papritur në sytë e opinionit publik botëror. Vrasja e qëllimshme e civilëve dhe bllokimi i ilaçeve që dërgohen me ndihmat humanitare mund të jenë reflekse të një organizate, jo të një shteti. Izraeli nuk duhet të harrojë se nëse vepron si një organizatë dhe jo si një shtet, ai përfundimisht do të fillojë të trajtohet si një organizatë. Ne jemi të gatshëm të parandalojmë thellimin e konfliktit. Ftojmë palët të vetëpërmbahen”, tha Presidenti i Turqisë.