Katër persona janë proceduar penalisht pasi kishin krijuar një skemë mashtrimi sipas policisë për shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki.
Uniformat blu njoftuan, se të rinjtë të moshave nga 22 deri në 35 vjeç i shisnin biletat me çmime që shkonin deri në 400 Euro.
Por si funksiononte skema? Ata i reklamonin në rrjetet sociale, njoftoi policia.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për disa shtetas, të cilët reklamonin në rrjete sociale dhe shisnin me anë të mashtrimit, bileta për ndeshjen e ditës së sotme, me çmime shumë të larta, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. A., 35 vjeç, R. H., 22 vjeç, A. O., 31 vjeç dhe E. Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë”, njoftoi policia.