Kryesore Rama: Nëse sovraniteti i Kosovës kërcënohet nga kërkesa ime për KFOR-in, pse...

Rama: Nëse sovraniteti i Kosovës kërcënohet nga kërkesa ime për KFOR-in, pse rrjeta e kufirit është e çarë nga të katër anët?

Kanë nisur diskutimet në seancën e sotme ku pritet të votohet Rezoluta e Kosovës për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën 3 efektivë të tjerë.

Kryeministri Edi Rama foli nga foltorja për draft-rezolutën për të cilën ranë dakord të dyja palët politike pasditen e djeshme. Rama theksoi se kjo draft-rezolutë i takon vetëm Kuvendit të Kosovës për t’ia drejtuar ndërkombëtarëve, por jo Shqipërisë e cila sipas tij është vend i NATO-s, është vend kandidat në BE dhe ka të gjitha rrugët e komunikimit me botën demokratike.

“Sot jemi ftuar në një mocion me debat nisur nga një draft-rezolutë e depozituar në Kuvend që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës mbi ngjarjen tragjike ku u vra polici Afrim Bunjaku nga një grup kriminal serb. Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën, por edhe në të detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre të cilave u drejtohen organizmave ndërkombëtare ku Shqipëria nuk bën pjesë. Pyes, Shqipëria një vend kandidat për në BE, që ka ulësen dhe të gjitha rrugët e komunikimit me botën demokratike dhe ambasadorët e vet, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua. Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s miratojnë rezoluta të tilla, drejtuar botës? Ndërkohë që janë pjesë e tij, cili është qëllimi i një nisme të tillë?! Përtej propagandës kinse patriotike, draft-rezoluta të tilla shfaqen si dru për oxhakun kundër qeverisë, herë si politikë ditore e herë si thirrje në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në Parlamentin e shekullit 21. Në cilin planet duhet të kërkojmë për ta përshtatur këtë kategori mocionesh me debate dhe me sherrnajë pararendëse si ajo e seancës së shkuar me akuza për tradhëti, botës demokratike jo njëherë. Këto shkulme dëshpërimi politik ekstrem që ka marrë dhe emrin e vet të vërtetë, planeti non grata, e ka marrë emrin nga e keqja e vjetër që e ka helmuar politikën shqiptare në pikën pa kthim të humbjes së logjikës ndërkohë që planeti në fjalë lëshon pafund toksicitet në ajër, ne s’mund ta mbrojmë shëndetin e demokracisë parlamentare nga helmet që lëshohen këtu, Ne mund të themi vetëm fjalën tonë të lirë, siç do bëjmë dhe sot.”

Rama foli më konkretisht për sulmin në Banjskë dhe të gjitha zhvillimet e mëtejshme.

“Në fund të fundit, edhe për mua është rasti që t’i shtjelloj gjerësisht dhe troç të vërtetat e mia për Kosovën, duke u nisur sigurisht nga agresioni kriminal i Banjskës. Ai agresion nxorri thonjtë e krizës së Kosovës dhe ia nguli m’u në fyt dialogut dhe shtet-njohjes përfundimtare të Kosovës, shfaqja e përhijes të së shkuarës me armë e formacione ushtarake, armatime të trafikuara për sulm ishte si kronika e zezë e një vdekjeje. Lajmi i vrasjes së efektivit ishte si një bombë që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali, të përshkallëzimit të konfliktit në atë skenë. Ndez llampën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike. Zhvillimi i mëtejshëm ishte tejet provokues. Fundi ishte shembullor, falë forcave të Kosovës që neutralizuan zgjatjen e paparashikueshme të konfliktit duke iu përgjigjur provokimit djallëzor. Epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare e Beogradit për kriminelët pasi i morën jetën një polici ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes së të shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë që prej disfatës finale të 1999-ës si hija që e ndjek njeriun sa fillon dita.”

Rama tha më tej se thirrja e tij për marrjen e kontrollit në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it lidhet me arsyen “pse rrjeta e kufirit në këtë zonë është e çarë nga të katër anët”.

“Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet të shpjegojë pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët? Si hyjnë aq kollaj në atë zonë prej vitesh tanimë armatimet e panumërta?”, pyeti Rama.

Ai vijon me pyetjen se duke shtuar se çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet.

Problemi i vërtetë, sipas Ramës, është se pikërisht sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës mund të lëndohet prej një rruge të tillë.

“Nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri anti-shtet për Republikën e Kosovës!

Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovranitet, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas agjendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara dhe të varfëruara nga izolimi të banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash?!”, tha Rama.

Për Ramën, kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, duket si një “alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës”.

“KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës apo nuk e mbajnë më mend të gjithë këtë? – se helbete koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që të të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën!”, theksoi Rama.

Ai sqaroi se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë.