Ushtria izraelite po përgatitet për një sulm të madh nga toka, ajri dhe deti. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se “Faza tjetër po vjen”. Ndërsa konflikti hyn në ditën e tij të tetë, më shumë se 3600 njerëz janë vrarë nga të dyja palët. Më shumë se 1,300 njerëz kanë vdekur në Izrael, ndërsa më shumë se 2,300 njerëz janë vrarë në bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës.
Shpërthime u regjistruan sërish në Gaza mëngjesin e së dielës. Izraeli pretendon se një komandant i lartë është vrarë nga ushtria. Ndërkaq, tanket izraelite janë vendosur edhe përgjatë kufirit me Libanin. SHBA do të vendosë gjithashtu edhe një tjetër aeroplanmbajtëse në rajon për të penguar veprimet armiqësore të Hamasit.
Mijëra palestinezë po vazhdojnë të largohen nga Gaza veriore përpara ofensivës së pritshme tokësore të Izraelit. Ata duhet të përdorin një rrugë të vetme që shkon nga Beit Hanoun drejt Khan Yunis. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar urdhrin e evakuimit duke e cilësuar si një dënim me vdekje. Agjencia e OKB-së e ka quajtur lëvizjen masive të njerëzve një “eksod”.
Në Egjipt, një autokolonë ndihmash po pret me orë të tëra për të hyrë në Gaza përmes kalimit Rafah. Ditët e fundit postblloku është mbyllur për shkak të bombardimeve ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, i cili thuhet se ka dëmtuar anën palestineze të kalimit. Kjo do të thotë gjithashtu se ndihma është mbajtur në kufi dhe agjencitë e ndihmës u kanë kërkuar autoriteteve që të lejojnë autokolonat e tyre të kalojnë.
Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre në Gaza që të afrohen më pranë vendkalimit Rafah në mënyrë që të mund të largohen kur kalimi të rihapet dhe kanë paralajmëruar se çdo rihapje do të zgjasë vetëm për një kohë shumë të kufizuar.
Rusia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të votojë mbi një projekt-rezolutë për konfliktin Izrael-Hamas që bën thirrje për një armëpushim humanitar që dënon dhunën kundër civilëve dhe të gjitha aktet e terrorizmit, lirimin e sigurt të të gjithë pengjeve dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare.