Aktualitet U pagua për të hedhur lëndë plasëse në tarracën e një lokali...

U pagua për të hedhur lëndë plasëse në tarracën e një lokali në Tiranë, arrestohet 29-vjeçari

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fire” është vënë në pranga 29-vjeçari me iniciale K.B., i cili para 3 ditësh (12 Tetor) ka hedhur lëndë plasëse në tarracën e një lokali në rrugën “Gjin Bue Shpata” në Tiranë dhe për pasojë u djegën panelet diellore dhe disa pajisje të lokalit.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ai është paguar nga 24-vjeçari me iniciale R. B., me shumën 20 000 Lekë të rinj, për kryerjen e këtij krimi. 24-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat autori i zjarrvënies, ka patur veshur gjatë kryerjes së krimit, si dhe disa targa automjetesh të shtetësive të ndryshme, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së tij.

Punohet për kapjen e shtetasit R. B., si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.