Dy shpërndarës të lëndëve narkotike, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal në lokalet e natës në zonën e Vollgës, janë vënë në pranga nga policia e Durrësit.
Blutë e qytetit bregdetar kanë arrestuar shtetasit Arben Muça dhe Ervis Likmeta pasi kishin informacione se personat në fjalë posedonin lëndë narkotike të llojit kokainë.
Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 216 gramë kokainë dhe disa shuma parash.
“Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, pas një hetimi disajavor, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 48 vjeç, banues në Tiranë, E. L., 46 vjeç, banues në Durrës.
Pas një pune hetimore disajavore ka rezultuar se shtetasi E. L. i ka shitur shtetasit A. M., sasinë e lëndës narkotike të ndarë në doza të gatshme për shitje.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 216 gramë kokainë, e ndarë në 416 doza gati për shitje, 540 euro, 27 400 lekë, një armë e ftohtë (thikë), një automjet dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.