Për analistin Fatos Lubonja një marrëveshje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha për Kryeprokurorin e ri do të ishte absurde.
Në një koment të bërë në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Lubonja thotë se duhet të vendosin institucionet dhe se gjithë lufta e madhe për reformën në drejtësi ishte pikërisht që një kryeprokuror të mos zgjidhet nga një takim kokë më kokë.
Ai e sheh një marrëveshje të dytë, pas asaj të 17-18 majit mes dy liderëve si negative për kreun e PD-së Lulzim Basha.
Lubonja u shpreh kundër edhe zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm siç kërkon maxhoranca.
“Prokurori i Përkohshëm po zgjidhet duke aplikuar një ligj, një amendament i cili duket sheshit që është antikushtetues. Është në kundërshtim me kushtetutën. Që kur është bërë ai ligj, mendoj se që aty fillon problemi, pikëpyetja që ngrihet është a është rastësi kjo apo pjesë e një strategjie.
Pse maxhoranca e ka miratuar një ligj antikushtetues, me qëllim apo gabimisht? Për mendimin tim është qëllimisht. Mendoj se ky qëllim nuk ka mbaruar, vazhdon, tenton të gjejë rrugët e veta për t’u realizuar dhe këtu fillon problemi. Pikëpyetja është pse PD nuk e çoi në Kushtetuese? Unë kam qenë me tezën se Prokurori s’mund të dalë mbi politikën sepse politika është më e fuqishme se ata 5-6 prokurorë anonimë”, tha Lubonja.
Ai theksoi se është e panevojshme një tryezë mes Ramës e Bashës.
“Për mua jo, për një arsye të thjeshtë. Ta zëmë se Basha ulet dhe dalin me një emër që e pranojnë. Atëherë i bie që u bë një marrëveshje për të mos u prekur të dyja palët. Për këtë ishim keq ne? Të ulen dy veta të vendosin për një kryeprokuror pa pyetur një palë e tretë dhe u shoshitur për të dalë nga KLP. Gjithë përpjekja është bërë që ky kryeprokuror të mos dalë nga një takim kokë më kokë. Problemi është që të vendosin institucionet. Mendoj që është absurde. Basha do të binte edhe njëherë në një gropë siç ra në 17 maj për mendimin tim”, deklaroi Lubonja.