Ekonomi Rama: Franca është e pranishme në Shqipëri me 110 kompani, edhe pse...

Rama: Franca është e pranishme në Shqipëri me 110 kompani, edhe pse janë sa një këmbë e Mbappes nga ana ekonomike

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka vlerësuar rolin e tij në Ballkanin Perëndimor. Rama tha se procesi i integrimit në Bashkimin Europian, nuk do duhet të pengojë ribashkimin e Europës.

Për rrjedhojë, kreu i qeverisë shqiptare tha se në këtë drejtim Macron ka një rol mjaft të rëndësishëm.

“Vizitë për të thelluar më tej marrëdhënien mes Francës dhe Shqipërisë, që kanë njohur një zhvillim të papritur dhe të shumë pritur në vitet e fundit si rezultat i një riangazhimi të Francës në rajon përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të presidentit në kërkim të një marrëdhënieje shumë më konkrete dhe produktive për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, një marrëdhënie që duhet të tejkalojë procesin tradicional të BE-së dhe që të jetë në gjendje t’u japë vendeve mundësinë e Bashkimit Europian, pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit që në këndvështrimin tim, por jo vetëm, duhet të vazhdojë në meritë, por jo të shndërrohet në ankth dhe pasiguri”, tha Rama.

Rama tha në konferencën e përbashkët me presidentin Macron se Shqipëria do mishërojë Europën në Ballkan.

“Sot e kemi Francën këtu përmes disa flamujve. Ajo është e pranishme në Shqipëri me 110 kompani me kapital të përbashkët. 110 kompani janë shumë pak, janë sa një këmbë e Mbappe-së nga pikëpamja ekonomike. Por krahasuar me  disa vite më parë kur marrëdhënia jonë ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappesë, tani do luftojmë së bashku për këmbën e dytë të Mbappesë. Dua ta mbyll këtë hyrje duke përsëritur edhe një herë se jam shumë i lumtur sot dhe jam shumë krenar për Shqipërinë që arriti të ishte gati të mirëpriste Francën. Se Francën e mirëpret vetëm kur i pari i v endit troket në derë. Kjo është specifika e Francës, që presidenti i saj të vij në Shqipëri nuk është diçka e lehtë. Prandaj unë jam shumë i lumtur. Ne do të përpiqemi që të mos jemi një nga 6 pjesët e Ballkanit që është europiane kur flet me Europën e bëhet ballkanike kur flet me pesë pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca Europiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do vazhdojmë të investojmë për të mishëruar Europën, sepse proceset kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten. Ky proces nuk është që ne të ikim nga këtu, por që Europa të vijë këtu”, tha Rama

Rama tha se është shumë i lumtur për këtë vizitë të Macron në Tiranë, duke vënë theksin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira.

Ndërkohë, më herët palët kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje. Më konkretisht, marrëveshja për “Udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës”, Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, Marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare për Kinemanë të Francës, si edhe u firmos edhe një deklaratë qëllimi mes Ministrisë të Brendshme të Shqipërisë dhe Francës në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike.