Kryesore “Franca ka pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën”, Macron: Vuçiç të dënojë sulmin...

“Franca ka pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën”, Macron: Vuçiç të dënojë sulmin në Banjskë të Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Tirana ku po zhvillon vizitë zyrtare, pret nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç që të dënojë sulmin e 24 Shtatorit në Banjskë të Kosovë nga grupi serb paramilitar ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Presidenti Macron i bëri të qarta ato që pret si nga pala serbe, ashtu edhe nga autoritetet e Kosovës, duke zbatuar një radhë veprimi.

Kreu i shtetit francez theksoi se pret që të organizohen përsëri zgjedhjet në komunat serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Macron tha se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën.

Ai shtoi se ky vendim është marrë pasi nuk është mbajtur fjala e dhënë për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa shtoi se kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç duhet të tregohen më të përgjegjshëm

“Po i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë. Është përgjegjësia e Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 Shtatorit sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe, është riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe plotësisht dhe totalisht dhe pres që Presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga Pesidentja dhe Kryeministri kosovar. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron.