Një shtëpi bari është zbuluar nga policia në fshatin Trush të Bushatit në Shkodër. Gjatë operacionit të koduar “Trushi”, policia arrestoi në flagrancë 3 persona si të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe procedoi në gjendje të lirë 3 persona të tjerë.
Bimët narkotike kanabisi sativa ishin kultivuar në vazo në një banesë të pabanuar, në hyrje dhe në 4 dhomat e saj.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se në banesë ishte instaluar një sistem i përparuar elektrik dhe i kondicionimit që shërbenin për kultivimin e kanabisit në vazo me anë të llambave.
Të arrestuarit janë Lorenc Trieshi 34 vjeç nga Fushë-Kuqja e Kurbinit, i cili u kap në flagrancë brenda banesës, si dhe babë e bir Dedë Laca 64 vjeç dhe Anton Laca 37 vjeç.
Ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Trush i Poshtëm, lexuesi i matësit elektrik dhe elektriçisti i zonës.
Në banesën që shërbente si shtëpi bari kishte lidhje të paligjshme të energjisë. Policia sekuestroi 82 llamba, 5 aspiratorë, 123 bimë narkotike për ekspertizë, 2 mjete lundruse jetski, 1 kallashnikov dhe 2 karikatorë me fishekë, 1 armë gjahu dhe 2 makina Range Rover dhe Mercedes-Benz.
Në Qarkun e Shkodrës, gjatë këtij viti janë asgjësuar 158,621 bimë narkotike të kultivuara në tokë dhe 41,883 fidanë të kultivuar në kubikë, raste për të cilat janë arrestuar dhe proceduar penalisht 74 persona.