Kryesore Presidenti kroat nga Tirana: Kosova është fakt, Europa e di, por s’e...

Presidenti kroat nga Tirana: Kosova është fakt, Europa e di, por s’e pranon

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç nga Tirana ka përçuar mesazhe të forta sa i përket tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një konferencë të përbashkët për mediat, krah homologut shqiptar Bajram Begaj, Milanoviç tha se mund të jetë i vetmi jo shqiptar, që ka ngritur zërin në Nju Jork që Kosova të njihet.

Për Milanoviç, Europa është e vetëdijshme për këtë fakt, por nuk e pranon, e ndërsa ka qenë jo pak i ashpër me Serbinë. Milanoviç tha se Serbia ka përkrahur sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, por pavarësisht kësaj nuk ka marrë përgjigjen e duhur dhe këtë reagim, presidenti kroat e cilësoi si një vendimmarrje të gabuar.

“Fakt është që ndoshta i vetmi që nuk është shqiptar dhe që e kam përmendur dhe në Nju Jork, është thirrja për të pranuar Kosovën. Për mua është fakt që tërë Europa e di, por nuk e pranon, është e dëmshme për ne dhe për aq kohë sa koha kalon, këto pengesa bëhen më të vështira, më të ndërlikuara dhe për një vëzhgues objektiv duken gjëra të vështira për t’u duruar, shumë pak gjëra po bëhen për ta ndryshuar. Serbia ka ngecur negociatat, e ka nisur me vrull të madh, dhe ato kanë përkrahur kryengritjen e armatosur në Kosovë dhe ndaj kësaj nuk ka pasur një përgjigje të duhur”, tha Milanoviç.

Nga ana tjetër, edhe presidenti Begaj ka vlerësuar mbështetjen kroate ndaj Kosovës, duke theksuar se BE dhe NATO duhet të ndalojë qëndrimet provokuese të Serbisë.

“Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj Izraelit, bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 24 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, tha Begaj.