Sulmi kundër spitalit në Gaza ka ndezur gjakrat në territorin palestinez dhe vende të tjera të rajonit, me qindra protestues të zemëruar që mbushën rrugët. Forcat palestineze të sigurisë në Ramallah hodhën gaz lotsjellës dhe granata tymosëse për shpërndarjen e manifestueseve që qëllonin me gurë dhe thërrisnin slogane kundër presidentit Mahmud Abas.
Ata e kritikojnë Abasin për koordinim me Izraelin lidhur me sigurinë në territor. Përleshje pati edhe në qytetet e Nablus, Tubas dhe Jenin në bregun e pushtuar perëndimor. Në Hebron protestuesi marshuan me flamujt e Hamasit në duar.
Skena kaotike shpërthyen edhe në rrugët e Turqisë, ku mijëra qytetarë u mblodhëm para konsullatës izraelite në Stamboll, në orët e para të së mërkurës. Forcat e sigurisë në Turqi përdorën spërkatës djegës dhe ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa presidenti Rexhep Taip Erdogan shkroi në rrjetet sociale, se sulmi kundër spitalit në Gaza ishte shembulli i fundit i shpërfilljes së vlerave bazike njerëzore, nga ana e Izraelit.
Gaz lotsjellës dhe ujë u hodh kundër turmës së grumbulluar pranë ambasadës amerikane në Liban. Mbi 100 qytetarë të zemëruar pas sulmit në spitalin e Gazës, qëlluan me gurë dhe u përpoqën të kalonin gardhin rrethues.
Edhe në Jordani protestuesit u përleshën me policinë pranë ambasadës izraelite në kryeqytetin Aman. Automjete policore bllokuan kalimin për tek ambasada, ndërsa gaz lotjsjellës u hodh për shpërndarjen e manifestuesve.
Një turmë masive marshoi në rrugët e Teheranit, nga Sheshi Palestina drejt ambasadave franceze dhe britanike. Dhjetëra prej tyre u vunë zjarrin flamujve izraelite, teksa thërrisnin “Vdekje Izraelit!”. Protesta pati edhe në Tunizi e Jemen.