Aktualitet Dumani kërkon hetim “peshkaqenësh” dhe jo “cironkash”: Korrupsioni me vlerë 50 mijë...

Dumani kërkon hetim “peshkaqenësh” dhe jo “cironkash”: Korrupsioni me vlerë 50 mijë lekë po bllokon SPAK

Çdo rast korrupsioni që e kalon shumën prej 50 mijë lekësh hetohet nga SPAK-u. Por për Altin Dumanin, kreun e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, kjo përkthehet në një volum të papërballueshëm pune për një ekip prokurorësh që ende janë të pamjaftueshëm për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e funksionarëve publik.

Për këtë arsye, i kërkon ligjvënësve të shohin mundësinë e rritjes së këtij kufiri monetar.

“SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë”, tha Dumani.

I ftuar nga Këshilli i Integrimit për të folur për arritjet e strukturës së posaçme, kreu i saj duket i kënaqur dhe me shtimin e 12 hetuesve të rinj financiar të cilët ndjekin rastet e krimeve dhe korrupsionit financiar.

Produkt i punës së tyre është dhe rasti i parë i sekuestrimit të pasurive të një njeriu të drejtësisë, ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.

Ai shtoi se për hetimet mbetet shumë e rëndësishme edhe teknologjia, e cila është gjithnjë në zhvillim.

“Të hetosh vepra penale të korrupsionit, të fshehjes së pasurisë të deklarimit të rremë, është shumë e vështirë. Kërkon kohë dhe burime njerëzore. Më këtë vështirësi ne hasemi përditë.

Tashmë ne kemi sektorin e hetimit financiar, ku ne delegojmë një pjesë të mirë të hetimeve që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Metodat klasike të hetimit tashmë nuk vlejnë, kanë shumë pak vlerë në procesin e provave. Përdorimi i teknikave dhe metodave speciale të hetimit bëjnë që të kesh hetime të suksesshme”, tha Dumani.

Puna e SPAK-ut është shpeshherë objekt debati mes shumicës dhe opozitës, dhe nuk bëri përjashtim as kjo mbledhje e radhës e Këshillit të Integrimit, ku drejtuesit e tij, demokratja Jorida Tabaku dhe socialisti Toni Gogu replikuan pas deklaratave të këtij të fundit se është merita e shumicës që nuk ndërhyn në punën e SPAK-ut, edhe pse ka kërkuar arrestimin e jo pak zyrtarëve të lartë të dalë nga kjo forcë politike.