Tre shqiptarë që ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar gjatë operacionit anti-drogë “Highway” të nisur nga Italia në vitin 2017, janë arrestuar në Milano. Të arrestuarit janë E. B. 32 vjeç, S. T. 43 vjeç dhe D. B. 44 vjeç.
Ata akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Pas arrestimit të tyre, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, më datë 3 Tetor 2023 vendosi sekuestroi preventive ndaj pasurive të 3 personave të arrestuar dhe familjarëve të tyre. Këto pasuri kapin vlerën e 1 milion Eurove.
Konkretisht, GjKKO-ja ka caktuar masën “Sekuestro preventive”, për 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.