Këngëtarja Adele zbuloi se e la pijen gjatë një koncerti në Las Vegas. Pasi foli me të ftuarit e ulur në vendet VIP për “gotën e tyre me uiski” gjatë show-t të së shtunës së kaluar, ylli i popit foli shkurtimisht edhe për veten e saj. “E dini, unë kam pushuar së piri shumë kohë më parë…, – u tha ajo të ftuarve, – duket si një përjetësi. Ndoshta tre muaj e gjysmë më parë?”
Adele nuk dukej veçanërisht entuziaste për gjendjen e saj të re.
“Kjo është e mërzitshme. O Zot, është e mërzitshme – komentoi ajo. – Dua të them, unë kam qenë pothuajse e alkoolizuar për shumicën e të njëzetave të mia. Më mungon shumë, kam hequr edhe kafeinën, ndaj shijojeni uiski-n tuaj, jam shumë, shumë xheloze”.
Nuk është hera e parë që këngëtarja e “I Drink Wine” flet për alkoolizmin. Gjatë speciales së saj televizive “One Night Only” në 2021, Adele i tha Oprah Winfrey se kishte hequr dorë nga alkooli. “Unë ndalova së piri, – pohoi ajo gjatë transmetimit. – Të mos pish është një mënyrë e shkëlqyeshme për të njohur me të vërtetë veten, thjesht pi ujë dhe ji i matur”.
Në vitin 2021, ajo ndërkohë zbuloi për “Vogue”: “Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë me alkoolin. Gjithmonë kam qenë shumë e magjepsur nga alkooli. Alkooli është ai që e mbajti babanë time larg meje. Kështu që gjithmonë kam dashur të di se çfarë kishte kaq të mrekullueshme”.
Në fillim të këtij viti, këngëtarja zbuloi për një audiencë në Las Vegas se një herë kishte pirë “katër shishe verë” para orës 11 të mëngjesit gjatë bllokimit të Covid-19. Adele është aktualisht në fazën përfundimtare të “Weekends With Adele”, e cila filloi më 18 nëntor 2022. Performanca e saj e fundit do të mbahet më 4 nëntor.