Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka hedhur akuza në drejtim të censit për regjistrimin e popullatës, mes tyre dhe pakicat kombëtare. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Dule ka listuar një sërë argumentesh, pse sipas tij, censi ka dështuar.
“Nuk bëhet regjistrimi në bazë të legjislacionit që kërkon edhe pyetjet në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amëtare dhe besimin fetar, përgjigjet janë fakultative, regjistruesit nuk zbatojnë detyrimin e tyre për t’i drejtuar qytetarëve pyetjet, kemi raste kur qytetarët insistojnë dhe regjistruesit thonë nuk janë të detyruar të bëjnë pyetje ose se nuk ekziston mundësia teknike. Janë përjashtuar regjistrues vetëm me faktin pse kanë regjistruar shumë pjesëtar të një minoriteti dhe nuk janë zëvendësuar. Nuk bëhet njoftim sipas ligjit i atyre që në rastin e parë nuk gjenden në banesat e tyre dhe në rastet kur qytetarët kërkojnë mundësinë e dytë që të regjistrohen, nuk u jepet një mundësi e tillë. Kemi kërcënim, siç ka ndodhur me nënpunës civilë apo biznesmen, kur kanë regjistruar përkatësinë etnike dhe gjuhën amëtare, i kanë thënë që “duhet të kesh parasysh që je nënpunës shteti”, tha ai.
Dule thekson se këto shkelje i ka referuar edhe në instancat e larta të INSTAT, por nuk ka pasur asnjë reflektim.
“Ka dështuar dhe edhe kur i kemi paraqitur ankesat tonë në INSTAT nuk kemi gjetur asnjë reflektim”, tha Dule.
Gjatë konferencës, Dule i është rikthyer sërish çështje së Fredi Belerit, i cili ndodhet prej gati 6 muajsh në burg. Ai tha se Beleri po mbahet peng dhe se kjo nuk është një çështje që i përket drejtësisë shqiptare. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Dule tha se fakti që Beleri nuk po lejohet që të betohet, është tregues se e gjitha është një hakmarrje politike.
“Nuk kemi pasur rast flagrante. Beleri ishte me avokatin e tij dhe më një të afërmin e vet, kujt i blinte dhe kush i shiste votën, nuk ekziston, në shumë hallka të tjera kemi paligjshmëri, duhet prezumimi i pafajësisë, ai është i padënuar, dhe për rrjedhojë prezumohet i pafajshëm dhe çdo kryetar i zgjedhur bashkie nuk mund të pengohet që të kryejë betimin, kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës, e parimeve europiane, Beleri është peng dhe duke shkelur Kushtetutën, insistohet që të privohet nga marrja e detyrës,askush nuk e pengon drejtësinë që të bëjë punën e tij, por mbajtja larg betimit është flagrante. Hakmarrje politike”, u shpreh Dule.
Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.