Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi do të dalin nesër para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për verifikimin e masës së sigurisë.
Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi është i arrestuar që prej pasdites të së shtunës për veprat penale korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Ndërsa ndërtuesi i pallateve në ish-kompleksin ‘Partizani’, Fatmir Bektashi ka masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Masat e të dyve do të verifikohen nesër në orën 13:30 në GJKKO.
Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha, ndaj të cilit ka masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit nën akuzën e korrupsionit pasiv, nuk ka ende një datë se kur do të mbahet seanca për verifikimin e masës së sigurisë, pasi ish-Kryeministri nuk e ka firmosur këtë urdhër.
Mbrëmjen e të shtunës, në selinë e PD ku po qëndronte Berisha, shkuan dy punonjës policie për ta njohur ish-Kryeministrin me masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe pengim për dalje jashtë Shqipërisë. Por Sali Berisha refuzoi që ta firmoste urdhrin ndaj tij. Për këtë arsye, GJKKO-së nuk i ka shkuar proces-verbali i OPGJ-së për Sali Berishën, pasi ky i fundit nuk e firmosi.