Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur këtë të martë në orën 14:00 në ambientet e Gjykatës së Posaçme për t’u marrë në pyetje për aferën e ish-kompleksit “Partizani”.
Ndërkohë, Berisha deklaroi në hyrje të selisë blu se nuk do të paraqitet në SPAK pasi procedurat janë kryer në shkelje të Kushtetutës, referuar faktit se nuk është marrë parasysh autorizimi nga Kuvendi për këtë vendim.
“Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë Kushtetutën e vendit, jam autori i ligjit, që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Nuk duhet të ekzistojë, duhet të jenë të gjithë të barabartë. Hajde atëherë të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën. Për atë nuk jam dakord”, tha Berisha.
I pyetur nëse do t’i rezistonte një marrjeje me forcë, Berisha u përgjigj: “Tani, se sa kureshtje keni ju, unë besoj që me këto që u përgjigjëm jam korrekt fare. Pra, piramida e trillimit, e mashtrimit, e falsifikimit do të shembet dhe u garantoj ju siç ka ndodhur. Kurse nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, hetimor etj. E vetmja gjë, kjo është totalisht një formalitet, por një formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit dhe unë nuk mund ta shkel”.