Presidenti Bajram Begaj ka njoftuar se ka kthyer për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për shtetësinë.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës, vendosi me Dekret nr. 295,” Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 77/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për Shtetësinë””, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, njoftoi zyra për shtyp e Presidencës.
Sipas arsyetimit të Begajt, katër nga pesë amendamentet e propozuara nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
“Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota. Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.
Bazuar në vlerësimin e mësipërm, rezulton se katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë” përcjellë Kryetares së Kuvendit me shkresë nr. 2810 prot., datë 20.9.2023, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ky fakt e bën ligjin nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë”, antikushtetues për shkak se një numër dispozitash të tij nuk janë miratuar në përputhje me kërkesat e sanksionuara nga pika 2, shkronja b) e nenit 81 dhe pika 1 e nenit 83 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Nisur nga sa më sipër kam vendosur: Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””, thuhet në njoftimin e Presidencës.