Në konferencën e sotme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me mohimin absolut të akuzave që SPAK ka ngritur ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit, lidhur me aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani”.
Teksa akuzon kryeministrin Edi Rama për fshehje e manipulim dokumentash, ai nuk përjashton mundësinë për protesta nga ana e PD-së.
“As një gjë s’është jashtë tavolinës, të gjitha janë në tryezë. Ne siç e shihni kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik, kur Edi Rama me dy skapistë dhe një tjetër vënë në tryezë reformat e suksesshme sepse ajo ekonomi për dijeninë tuaj, ka pas një rritje 8.3%. Çdo akt, u them atyre që kapin penën e shpifin, vetëm sa baltosni moralin tuaj, sepse një gazetar është i detyruar të paraqesë dy variantet. Të dy palët. Krijojnë narrative nga më primitivet, ky djalosh me 113 m2 doli me 5.2 mln euro. Gjithçka e bazuar në shpifje, në turpin e fshehjes së dokumentave, e bazuar në manipulimin e dokumentave. Se një djalosh tjetër në të njëjtat kushte mund të vidhte të paktën 20% më shumë, por ky zgjodhi pikërisht atë rrugë“, tha Berisha.
“Beteja vazhdon në të gjitha planet”, theksoi më tej ish-kryeministri.
Seanca në GJKKO, Berisha: Të hiqet masa antikushtetuese
Berisha u shpreh gjatë konferencës me se duhet hequr masa antikushtetuese ndaj tij që ai të paraqitet më pas në gjykatë. Kryedemokrati theksoi se shkon sa herë ta thërrasin në gjykatë dhe nuk e ka problem diçka të tillë, por këtë nuk mund ta bëjë duke shkelur Kushtetutën. Sipas tij, masa e vendosur pa lejen e parlamentit është “përdhosje e ligjeve”.
Pyetje: Zoti Genc Gjokutaj ka shkuar ditën e sotme në gjykatë si avokati juaj teksa në orën 14:00 pritet të nisë seanca për masën tuaj detyrim paraqitje, teksa ju e keni refuzuar. Zoti Berisha pse po shkon zoti Gjokutaj teksa ju nuk e pranoni seancën që po zhvillohet sot?
Sali Berisha: Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk pranoj gjykatat. E deklarova më parë dhe e deklaroj absolutisht me sinqeritetin më të madh se unë sa herë të thirrem do shkoj. Të heqë gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë shkoj apo nuk shkoj unë. Ta provojë. Vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e ligjeve, e të drejtës dhe e Kushtetutës së vendit. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale, të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund t’ia lejoj vetes të shkel Kushtetutën. E thashë dhe e them, që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton. Unë jam për barazi të plotë të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. Nuk kam qenë, e kam treguar e kam dëshmuar, për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Deputeti të ruajë veten, të punojë, kaq. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, e drogës.