Politika Berisha: Rama kontrollon çdo pushtet përmes 4-5 prokurorëve të tij në SPAK

Berisha: Rama kontrollon çdo pushtet përmes 4-5 prokurorëve të tij në SPAK

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi sulm politik ndaj reformave të tij hetimin e SPAK për korrupsion.

Në një komunikim për mediat, Berisha tha se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 prokurorëve të tij në SPAK.

Berisha: Dacibao politike ndaj vendimeve kolegjiale dhe ligjeve të parlamentit, në zbatim të programit të qeverisë së PD në mandatin e saj të viteve 2005-2009, për reformat në fushën e pronësisë, ekonomisë, forcave të armatosura, sportit, etj., paraqet fytyrën e vërtetë dhe kriminale të Edi Ramës dhe laro skapistëve të tij. Përbën përpjekjen më monstruoze të vendosjes së kontrollit politik policesk mbi veprimtarinë e qeverisë dhe parlamentit nga një grup prokurorësh të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës.

Dëshmon se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 larove të tij skapistë. Dacibao e djeshme ndaj reformave, nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra dhe në disa raste, mbarë shqiptarët, e bën këtë çështje procesin politik të shekullit. Dje u njohua ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera.

Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë. Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë.