Kryesore EMRAT/ Caktohen avokatët kryesisht për procesin ndaj Sali Berishës

EMRAT/ Caktohen avokatët kryesisht për procesin ndaj Sali Berishës

Rabie Cenalia dhe Jalldiz Kastrati janë avokatët e shtetit të caktuar nga gjykata për procesin Berisha.

Seanca e radhës për rivlerësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin pritet të mbahet sot.

Në seancën e mbajtur një ditë më parë, avokati Genc Gjokutauj doli në një deklaratë për mediat ku tregoi se ai dhe avokati tjetër i ish-kryeministrit Berisha vendosën të braktisin seancën.

Sipas tij, gjykata shkeli kushtetutën dhe ligjin. Gjokutaj u shpreh se në kundërshtim me ligjin, GJKKO nuk e pranoi kërkesën e tyre për dërgimin në gjykatën kushtetuese të çështjes.

Ish-kryeministri është person nën hetim nga GJKKO për korrupsion pasiv, pasi përmes akteve ligjore, sipas SPAK, ka favorizuar dhëndrin për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për akuzën “korrupsion pasiv”.