Tre persona u vunë nën hetim në Fier, pasi akuzohen se ndotën ujërat e lumit Gjanica, duke shkarkuar në të mbetje të hidrokarbureve.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se “pas njoftimit për ndotje të lumit Gjanica, nga shkarkimi i mbetjeve të hidrokarbureve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me ata të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për ndotjen. Në përfundim të këtyre veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: K. A., 34 vjeç, me detyrë drejtor i Qendrës së Prodhimit të Naftës, Fier, dhe S. A., 35 vjeç, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Dekantimit, Patos, në një kompaninë private Sh. A.; E. B., 61 vjeç, me detyrë drejtor i operacioneve të hidrokarbureve, në një kompani tjetër private, gjithashtu Sh. A”.
Sipas policisë, nga hetimet rezulton se dy kompanitë private ku janë punonjës përgjegjës këta tre persona, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty mbetjet e këtyre lëndëve.