SHBA-ja ka nisur sulme hakmarrëse ajrore në dy lokacione në Sirinë lindore, të cilat kanë lidhje me Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit.
Lajmin e ka bërë të ditur Pentagoni, herët në mëngjes, duke sqaruar se sulmet erdhën si përgjigje ndaj një numri sulmesh me dronë dhe raketa përkundrejt bazave dhe personelit amerikan në Irak dhe Siri që nga 17 tetori.
Sipas Pentagonit, ka pasur të paktën 12 sulme ndaj bazave dhe personelit amerikan në Irak dhe katër në Siri që nga java e kaluar.
Gjenerali i Forcave Ajrore Pat Ryder tha se 21 pjesëtarë të personelit amerikan në këto baza u plagosën në dy nga sulmet. Bëhet fjalë për sulmet ku u përdorën dronë për të shënjestruar bazën ajrore al Asad në Irak dhe Garnizonin al Tanf në Siri.
Në një deklaratë, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se sulmet janë një “përgjigje ndaj një serie sulmesh të vazhdueshme dhe kryesisht të pasuksesshme” nga grupet e milicisë të mbështetur nga Irani.
Ai tha se Joe Biden drejtoi aksionin “për të bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme të tilla dhe do të mbrojnë veten, personelin dhe interesat e tyre”.
Ai shtoi se operacioni ishte i ndarë dhe i dallueshëm nga lufta e Izraelit kundër Hamasit.
Megjithëse SHBA-ja nuk e ka akuzuar Iranin se ka një rol të drejtpërdrejtë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit, ajo ka vënë në dukje se Irani e ka mbështetur prej kohësh grupin terrorist.
Po kështu, zyrtarët iranianë kanë kritikuar hapur SHBA-në për faktin se i kanë siguruar Izraelit armë që janë përdorur për të goditur Gazën.