Aktualitet Arrestimi i zyrtarit të bashkisë Sarandë, SPAK: Kërkoi 12 mijë euro për...

Arrestimi i zyrtarit të bashkisë Sarandë, SPAK: Kërkoi 12 mijë euro për një plazh

SPAK ka dhënë detaje nga hetimi që çoi në pranga mbrëmjen e djeshme inxhinierin e urbanistikës në bashkinë Sarandë, Ariel Balani.

Sipas SPAK, Balani akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Shpërdorimi i detyre”.

Zyrtari i bashkisë dyshohet se në vitin 2021, ka ndërvepruar me shtetasit F. D. dhe S. D., të cilëve iu ka kërkuar 12.000 euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të një plazhi në Ksamil.

“Në muajin Korrik të vitit 2021 shtetasi A. B. ju ka marrë këtyre shtetasve shumën prej 6.000 (gjashtë mijë) Euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe shtetasi A. B. ia ka kthyer shumën monetare”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu nga hetimi rezulton se shtetasit F. D. dhe S. D. kanë patur probleme edhe në lidhje me një objekt të ndërtuar nga ata në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit.

Gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019 subjekti “F. D.”, është proceduar me masë administrative. Në muajin mars të vitit 2020 shtetasi J. P. me detyrë inspektor i IKMT-së i ka kërkuar shtetasit F. D. shumën monetare 7.500 Euro, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil, por pasi kanë negociuar ai i ka dhënë shtetasit J. P. shumën prej 3000 Euro dhe nuk i është prishur objekti në vitin 2020 edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT që prej muajit Shtator të vitit 2019. Nga dokumentacion i administruar nga IKMT rezulton se objekti i shtetasit F. D. është prishur vetëm në datën 07.06.2021.

Gjatë operacionit të djeshëm është arrestuar dhe inspektori i IKMT për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.