Kryesore Përurohet sheshi në Derviçan/ Mitsotakis refuzoi, Rama sjell një tjetër grek: Politika...

Përurohet sheshi në Derviçan/ Mitsotakis refuzoi, Rama sjell një tjetër grek: Politika na trazoi

Kryeministri Edi Rama inauguroi sot sheshin e rikonstruktuar të Derviçanit, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin.

Rama theksoi se sheshi do të mbajë dhe një skulpturë të Mitsotakis, të ndërtuar nga artisti dhe miku i tij Adi Dule.

Edi Rama tha se “busti i tij do të qëndrojë si shëmbëlltyra e të vërtetës historike, se ajo që i bashkon qysh në lindje të kohërave popujt e vendet tona është përjetësisht më e madhe, se sa çfarë do qoftë mund t’i ketë ndarë a ndajë përkohësisht, për arsyet e mosarsyes së politikës”.

Referenca e “mosarsyes së politikës” duket se i shkon faktit që kryeministri aktual i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, djali i Konstantinos Mitsotakis, që iu ngrit busti refuzoi të pranonte ftesën që iu bë në 22 dhjetorin e vitit të kaluar nga Edi Rama për të qenë sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit.

“Sot kujtojmë dhe kremtojmë vendosjen e bustit të një personazhi historik të Greqisë fqinje. Ajo ngjan si imitimi i një rrëfimi romanesk, ku e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e një vendi ndërthuren me personazhin, në një formë që sa e krijon atë, aq sa edhe e shkrin atë. Konstandino Mitsotakis, ishte në qendër të vorbullës së politikës greke, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillim të shekullit ’21. Ai erdhi në jetë si djali i dytë i një deputeti grek dhe si stërnipi i kryeministrit grek. Konstandini ndoqi shkollën e ligjit të Athinës, kundër dëshirës së vet, por formimi juridik do ta ndihmonte atë gjithë jetën në betejat epike për mbrojtjen e tij të patundur. U burgos dhe u dënua dy herë me vdekje nga nazistët, por mbijetoi për mrekulli të fatit, falë një shkëmbimi të burgosurit. Për kontributin e tij dhe akte e tij të spikatura të rezistencës. U dekorua dy herë pas luftës, nga qeveritë e Greqisë dhe të Britanisë së Madhe”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se do të donte që Kyriakos Mitsotakis të ishte sot i pranishëm. Fajin ia vuri politikës, referuar dosjes Beleri.

“Do të dëshiroja që sot këtu do të ishte Kyriakos, por me siguri do të rikthehet në këtë shesh, që ua ka premtuar, ku që nga sot sheshi mban emrin e të atit. Më vjen mirë që bashkë me ju dhe me mua është këtu një deputet i “Demokracisë së Re”, Dimitris Avramopoulos. Fatkeqësisht politika elektorale trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë mes fqinjëve si Shqipëri dhe Greqia, edhe pse janë gjëra që kalojnë, edhe pse më mirë do të ishin të mos kishin ndodhur. Jo vetëm kalojnë, por e bëjnë më të fortë lidhjen mes dy popujve”, tha ai.

Më pas fjalën e mori Dimitris Avramopoulos, zyrtar i njohur në Greqi, që në vitet ’90 shoqëronte Konstantinos Mitsotakis në Dropull dhe sot u rikthye. E nisi fjalën me një përshëndetje në shqip “Mirë se u gjeta”.