Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të premte në Dropull. Kreu i qeverisë pori pjesë në përurimin e sheshit të Derviçanit, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, ish-kryeministrit grek.
Rama e nisi fjalën e tij me disa fjalë greqisht. Teksa e konsideroi Mitsotakis një personazh historik tha se ai ishte i pari kryetar qeverie i Greqisë që erdhi në Shqipëri dhe vizitoi Derviçanin. Dhe sipas kryeministrit Rama, rikthimi i tij nëpërmjet një busti vjen në vendin e duhur dhe kohën e duhur.
“Rikthimi i tij në këtë shesh sot përmes këtij busti, të cilin skulptori, kolegu dhe miku im Adi Dule e krijoi me sukses por edhe me shumë dëshirë për hir të së vërtetës, qoftë se edhe ai ka qenë disa vite në Greqi si emigrant, por qoftë se edhe portreti i plakut Mitsotakis është vetiu ndjellës për një skulptor, për nga karakteri i formës që ka, mendoj se është një rikthim i duhur, në vendin e duhur, por edhe në kohën e duhur, i një njeriu të duhur për të mishëruar me praninë e vet të përjetshme këtu lidhjen e pandashme të minoritetit grek me Greqinë që ai rivendosi pas një këputje të gjatë dhe të dhimbshme me ardhjen e tij 33 vjet më parë”, tha Rama.
“Mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizionit grek ku ai flet me dashurinë e sprovuar të një jete mes tallazesh dhe atë sensin e tij aristokratik të humorit për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase që të kuptosh se kjo prani e tij këtu ushqen natyrshëm edhe mirësinë kokëfortë të lidhjes së pandashme mes dy gjindjeve tona që e shkuara i ka përzier aq shumë saqë po mos i dallojë gjuha apo këndi i kujtesës së ndryshme të historisë politike asgjë tjetër nuk i bën të pangjashëm si pikat e ujit. Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu edhe Kyriakos Mitsotakis, djali i Konstantinosit, kryeministër i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar ku që nga sot sheshi mban emrin e të atit”, tha më tej Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se minoriteti grek është një pasuri e çmuar për Shqipërinë. Ai theksoi se lidhja mes dy popujve tanë nuk ka për t’u këputur kurrë edhe kur politika hyn në mes “së prapthi me tekat e saj”. Sipas Ramës, minoritetet gëzojnë në Shqipëri të drejta të barabarta.
“Miqtë e mi motra dhe vëllezër dropullitë, ju më mirë se kushdo e dini që Shqipëria është atdheu juaj, vendi ku ju jetoni, njësoj si shqiptarët në gjak dhe pasaportë, vendi ku keni varret e të parëve, kujtimet dhe trojet e atyre që nuk jetojnë më, shtëpitë ku keni lindur dhe ku lindin fëmijët tuaj. Ju e dini po ashtu se jeni për Shqipërinë një pasuri e çmuar, një urë e pazëvendësueshme e një fqinjësie të mirë me Greqinë. Një lidhje e pandashme, mendjesh e zemrash mes popujve që jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe me arsyet e mosarsyes së saj. Jam krenar për vendin tonë të përbashkët Shqipërinë, ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnike dhe ku asnjë hall, asnjë problem, asnjë shqetësim nuk ndryshon nga hallet, problemet dhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve të republikës sonë, por po ashtu nuk ndryshojnë as shkalla e vëmendjes, e kujdesit dhe përpjekjeve tona për të adresuar hallet, problemet dhe shqetësimet me të njëjtin pasion dhe angazhim si në Tiranë e në Tropojë e si në Dropull. Si në Durrës, Maliq e po ashtu në Finiq, në këtë vend që shërohet çdo ditë nga plagët e mundimshme të një të kaluare sa të rëndë aq dhe të përbashkët, ku minoriteti grek është xhevahiri më i madh i kurorës së artë të bashkëjetesës qytetare mes shqiptarëve dhe pjesëve të komuniteteve të ndryshme etnike. Fatkeqësisht hera herës politikat elektorale me nevojat e saj jo domethënëse për fatet e vendeve dhe popujve tanë trazon dhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia, por janë gjëra që kalojnë. E sigurtë është që në rrjedhën e jetëve të sotme demokratike, trazimet dhe keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por edhe e bëjnë më të fortë kuptimin e lidhjes të pandashme dy popujve dhe vendeve tona”, u shpreh Rama.
Fjalën e tij ai e mbylli me një urim.
“Po e mbyll duke uruar që Shqipëria e Greqia të kenë më shumë burra e gra të ngjashëm me njeriun në këtë bust dhe që ky bust t’u shërbejë brezave për të mos harruar asnjëherë se çka nganjëherë na ndan nuk e vlen kurrë atë që përjetësisht nga bashkon, ne shqiptarët dhe grekët si dy popuj që ngjajnë si dy pika uji”, u shpreh Rama.
Konstantinos Mitsotakis shërbeu i kryeministër i Greqisë nga viti 1990 deri në vitin 1993. Ai është babai i kryeministrit aktual të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe ish-ministres së Jashtme, Dora Bakoyanni.
Mitsotakis ndërroi jetë në vitin 2017 në moshën 99-vjeçare.