Sport Tradhtia e madhe, 30 mijë bilbila kundër Lukakut në ‘San Siro’

Tradhtia e madhe, 30 mijë bilbila kundër Lukakut në ‘San Siro’

Ndeshja duket se po kalon në plan të dytë, të paktën deri në vërshëllimën përfundimtare të saj. Ndoshta edhe pas. Inter-Roma është sfida mes kryesuesve dhe kryeqytetasve që duan të ngjiten në renditje, por është edhe ndeshja e rikthimit të Lukakut në ‘San Siro’.

Dhe kjo errëson gjithçka tjetër, edhe tribunën e Mourinjos të skualifikuar, një tjetër ish. Portugezi ka dashur ta minimizojë çështjen e ‘Big Rom’, ashtu si dhe Tiago Pinto. Nga ana e interistëve ajo që ishte për të thënë është thënë javët e fundit: klubi dhe ish-shokët e quajnë kapitull të mbyllur.

Ndryshe është çështja me tifozët. Është e paevitueshme. ‘San Siro’ e pret Lukakun me 30 mijë bilbila, sepse tifozët ndihen të tradhëtuar. Nuk ka të bëjë Roma, për tifozët e Interit tradhtia nuk lidhet me ngjyrat e Romës. Është një çështje personale, një çështje private.

Kështu ‘San Siro’ po përgatitet të vërshëllejë çdo prekje topi nga ana e belgut, ngjashëm me Ronaldon në 2007-ën, kur ai doli në këtë stadium me fanellën e Milanit. Pra, çdo prekje, çdo pasim dhe çdo gjuajtje e Lukakut do të shoqërohet nga një tingull bezdisës.

Nuk ndalohet nga asnjë nen i rregullores, por patjetër do të jetë diçka shqetësuese edhe për faktin se do të krijojë konfuzion me vërshëllimat e arbitrit. Nuk do të mungojnë apelet për qetësi, por me siguri nuk do të dëgjohen.

Java e 10 e serisë A rikthehet sonte në mbrëmje me duelin e  parë Xhenoa-Salernitana. Të shtunën do të jetë radha e 3 sfidave të tjera ku spikat Juventus–Verona, ndërsa të dielën vëmendja e gjitha do të jetë tek Inter-Roma në 18:00 dhe Napoli-Milan në 20:45.