Aktualitet Operacioni “Shpirti”/ Ndërron jetë në burgu 31-vjeçari Artan Zylyftari

Operacioni “Shpirti”/ Ndërron jetë në burgu 31-vjeçari Artan Zylyftari

Artan Zylyftari 31 vjeç, i dënuar me 5.4 vite burgim për trafik droge dhe që vuante dënimin në burgun ‘Jordan Misja’, ka ndërruar jetë ditën e sotme.

31-vjeçari u ndje keq në ambientet e qelisë.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “rreth orës 15:12 punonjësi i sigurisë në detyrë, njoftohet nga të paraburgosurit e dhomës për shqetësimet shëndetësore të Zylyftarit.

Në mënyrë të menjëhershme është paraqitur stafi shëndetësor në detyrë dhe kanë bërë përpjekje për t’i dhënë ndihmën e parë në ambjentet e infermierisë.

Në orën orën 15:28 pacienti është shoqëruar për në QSUT, Pavioni Kardiologji. Megjithë ndërhyrjen e stafit të specializuar në QSUT, në orën 16.20, 31-vjeçari ndërroi jetë nga arresti kardiak.

Pacienti gjatë qëndrimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Jordan Misja, është kontrolluar rregullisht dhe gjithë vizitat mjekësore dhe terapitë janë administruar në kartelen shëndetësore nr.3350 të këtij pacienti.

Pacienti është trajtuar për hipertension sipas protokolleve të miratuara dhe gjendja shëndetësore e tij ka qenë e qëndrueshme.

Drejtoria e IEVP Jordan Misja, ka kryer të gjitha procedurat ligjore të parashikuara, duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe familjarët”.

Artan Zylyftari ishte një nga 15 personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme për trafik të narkotikëve si pjesë e një grupi kriminal.