Nga ishulli i Korfuzit, në konferencën e parë ndërqeveritare Greqi-Itali, Alexis Tsipras dhe Paulo Gentiloni, bashkë me 6 ministra të secilës qeveri kanë vendosur bazat për një rifillim të marrëdhënieve italo-greke, por edhe për atë që ata e kanë quajtur “arkitektura e Eurozonës dhe e Europës”.
“Jemi thirrur të shpallim qëndrimin tonë si qytetarë të Europës, në një perspektivë të re: perspektiva e vendeve të jugut, me histori dhe mundësi të mëdha, vende të cilat nuk duhen lënë të izoluara nga Europa, por të luajnë një rol udhëheqës”, tha kryeministri grek Alexis Tsipras.
Në kuadrin e këtij takimi janë nënshkruar marrëveshje dypalëshe në fushën e investimeve, midis tyre përfundimi i shitjes së kompanisë greke të trenave, asaj italiane “Ferrovie Dello Stato Italiane”, e cila kërkon të investojë në Greqi mbi 500 mln euro në rrjetin hekurudhor të vendit.
Ndër të tjera është diskutuar edhe çështja tepër e rëndësishme për të dyja vendet, ajo e emigracionit, për të cilën Greqia dhe Italia kanë kërkuar të ndajnë peshën me vendet e tjera anëtare të BE-së.
“Ky është një mesazh për nevojën e përshtatjes së rregullave që kemi, sepse është e drejtë – e do të vazhdojmë ta përsërisim – se pesha nuk duhet të bjerë vetëm në disa shtete, e veçanërisht tek Italia dhe Greqia”, tha kryeministri italian Paolo Gentiloni.
Në axhendën e bisedimeve ka qenë edhe çështja “ZEE”, për shkak të kërkimeve në detin Jon për naftë dhe gaz, si dhe dhënien me koncesion nga ana e Greqisë të disa zonave të saj detare ndaj kompanive të huaja, midis tyre edhe atyre italiane.
Thuhet se pala greke ka kërkuar nga ajo italiane që të bëhet pjesë e zgjidhjes së përcaktimit të shelfit detar midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë, duke theksuar problemet që kanë lindur me Tiranën pas anulimit të marrëveshjes së detit të vitin 2009, nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.