Gjykata e Posaçme do të nisë të hënën gjyqin në mungesë për Jemin Sherën, i dyshuar nga SPAK, si një nga organizatorët dhe porositësit e vrasjes së Behar Sofisë, në 25 shkurt 2021 në Tiranë.
Edhe pse në arrati, ndaj Jemin Sherës rëndojnë tri akuza, më e rënda ajo e vrasjes me paramendim si dhe pjesëmarrje në një grup kriminal.
SPAK shkoi drejt identifikimit të Jemin Sherës, si një nga organizatorët e kësaj ngjarje, nga disa pamje të kamerave të sigurisë, ku ai qëndronte para vrasjes me shtetasin tjetër të konsideruar organizator, Skënder Vathin.
Ky i fundit aktualisht duke u gjykuar bashkë me tre persona të tjerë të arrestuar, të cilët ndihmuan Ernejt Shytin të kryente ekzekutimin në qendër të Tiranës, pranë ish-Piramidës.
Pas identifikimit dhe arrestimit, Shyti vendosi të flasë për drejtësinë dhe tregoi se si për vrasjen e ndodhur iu premtuan 50 milionë lekë, por që nuk arriti t’i merrte.
Në procesin, i cili po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, Shyti rrëfeu për treshen gjykuese se si kishte nisur plani për ekzekutimin e Sofisë pas kërkesës së bërë nga shtetasi Xhulio Visha, miku i tij.
Viktima u ndoq për disa ditë në itinerarin e lëvizjeve që bënte dhe gjatë kësaj kohe, i riu i identifikuar nga rrobat që hodhi gjatë arratisjes, bënte prova me armën e zjarrit, pasi nuk e kishte përdorur me parë.
Ernejt Shyti gjithashtu ka treguar se të njëjtët persona të akuzuar në këtë vrasje, kishin në plan të kryenin edhe ngjarje të tjera me pagesë.