Aktualitet Pjesë e grupit të baronit të drogës, mbetet në qeli ish-shefi i...

Pjesë e grupit të baronit të drogës, mbetet në qeli ish-shefi i komisariatit të Laçit

Dritan Metaj, ish-shefi i komisariatit të Laçit, i arrestuar në kuadër të operacionit “Flakë në det”, do të vijojë të qëndrojë me masë sigurie arrest në burg.

Metaj kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.

Por Apeli i Posaçëm nuk e ka pranuar këtë kërkesë të tij dhe ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg.

Ish-shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, u arrestua dy javë më parë pasi u zbulua përfshirja e tij në bandën e baronit të drogës në Fushë-Kuqe, Gëzim Çela.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim për trafikun e drogës dhe ka qenë i kërkuar edhe përpara këtij aksioni. Por SPAK thotë se ish-shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, transportonte me makinë Gëzim Çelën teksa ky i fundit kërkohej nga autoritetet.

Metaj ka pranuar kontaktet me Gëzim Çelajn, por ka thënë se nuk mund t’i evitonte për shkak të njohjeve të vjetra.

SPAK thotë se ka dyshime që ka lehtësuar lëvizjet e anëtarëve të grupit kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike në zonën e Fushë Kuqes. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Metaj ka kryer kontrolle fiktive për gjetjen e tyre, si dhe ka biseda në celular që flitej për lëvizjen e Gëzim Çelajt.