Sali Berisha ka ankimuar masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit, në lidhje me hetimet që po kryhen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Ankimimi për vendimin e Gjykatës së Posaçme është depozituar sot nga avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Ky i fundit deklaroi për gazetarët se pjesë e ankimimit është dhe masa e sigurisë dhënë në mungesë.
“Kemi depozituar ankim për të zënë afatet edhe për vendimin e dhënë në mungesë dhe për vendimin e marrë me avokat kryesisht. Gjithçka është bërë për zënie afatesh ndërkohë argumentet e plota do i dorëzojmë pasi të zbardhet vendimi”, tha Gjokutaj.
Ky i fundit i konsideroi nul të dyja vendimet.
Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.