Shqipëria më e guximshme e këtyre eliminatoreve nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv ndaj një Italie që cilësohet si ndër më të dobëtat e historisë së të kaltërve.
Një humbje që qëndron në ’90 minutësh me ritëm, edhe pse në pjesën më të madhe dukej se e respektuam më shumë se ç’duhet kundërshtarin. Një lojë me ritën, deri diku me nuanca superioriteti, ndaj një Italie me një skuadër nga më të dobëtat që kemi parë në kohën tonë.
Shqipëria e mbyll këtë eliminatore pa i shënuar asnjërës prej dy skuadrave lidere të grupit. Panucci ka marrë përgjigje të rëndësishme për të strukturuar skuadrën për edicionin e ardhshëm.
Ndërkohë të ndodhur përpara një skuadre që e kanë adhuruar prej dekadash, tifozët shqiptarë nuk i kursyen komplimentet dhe përshëndetjet për skuadrën italiane, ndërsa i dhanë zemër skuadrës kombëtare shqiptare.
Më poshtë notat për lojtarët e kombëtares shqiptare sipas Top Channel
Berisha 6.5 – Si gjithnjë deçiziv në daljet dhe me një personalitet shumë të lartë. Shumë i saktë në dy raste të pastra. Pa përgjegjësi te goli
Hysaj 6 – Kishte një volum shumë të madh në lojën e tij. I mohoi pothuaj të gjitha mundësitë për të tentuar portën.
Mavraj 7 – Një lider në skuadër. Me qetësinë dhe kualitetin e tij reparti difensiv është më i ekuilibruar. Zgjidhi shumë situata të rrezikshme.
Veseli 6 – Përqendrim i lartë, markim i rreptë dhe koordinim i saktë në situate të ndryshme. Ka nevojë për më shumë minuta me shokët e skuadrës.
Agolli 6 – Deciziv në lojën mbrojtëse, por me pak mundësi për të ndihmuar skuadrën në lojën sulmuese. Te goli, mbylli mirë kundërshtari që kishte më afër.
Kaçe 7 – Një tjetër ndeshje e mirë. Kokulur, shumë kilometra vrapime, shumë topa të rikuperuar dhe me shumë vizion në ndërtimin e aksioneve.
Basha 6.5 – Shumë i sigurt me topin, konfidencial me kundërshtarin. Ashtu si Kaçe, ka rikuperuar shumë topa dhe ka shtyrë mirë skuadrën drejt sulmit.
Memushaj 5.5 – Nuk kishte saktësinë e duhur. Vrapoi shumë, por nuk gjeti pika kontakti për të ndërtuar aksione korale drejt gjysmëfushës kundërshtare.
Grezda 6 – Nëse do të ishte pak më bashkëpunues në rastin e golit, do të ishte padyshim një prej më të mirëve në këtë takim. Ka fantazi, iniciativë, duhet më shumë besim.
Roshi 6 – Punoi shumë në fazën mbrojtëse, por ishte pothuaj memec në lojën sulmuese. Munguan krosimet dhe driblimet, i dubluar mirë nga italianët.
Sadiku 5.5 – Sërish i vetëm, përballë një mbrojtje pothuaj hermetike. Vrapoi, bëri presing të lartë, por nuk kishte mbështetjen e duhur.
Lila 6 – Fizikisht gjithnjë në gjendje për të ndihmuar skuadrën. Ndihmoi në minutat e fundit skuadrën në kombinacione të mira sulmuese.
Panucci 6.5 – Ndeshje e luajtur me shumë guxim, duke e parë në sy kundërshtarin. Zgjedhjet e formacionit të sakta, ndoshta duhej të ishte pak më i vëmendshëm me zëvendësimet.