Politika Hetimi i SPAK ndaj Berishës, Meta: Akt-akuzë e bërë në Kongresin e...

Hetimi i SPAK ndaj Berishës, Meta: Akt-akuzë e bërë në Kongresin e PS nga Rama

Hetimet e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i konsideron një “lajthitje” dhe akt-akuzë të bërë nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste.

Në një konferencë shtypi nga selia e partisë që drejton, Meta bëri akuza për kapje të drejtësisë së re nga Kryeministri Edi Rama.

“Sa i takon qëndrimeve ndaj z.Berisha nga ana e prokurorëve të SPAK apo të përfaqësuesve të gjykatave, dëshiroj të shpreh edhe njëherë keqardhjen për këtë rrëshqitje e cila nuk është e papritur e të së ashtuquajturës drejtësi të re e cila del anashkalon Parlamentin, del mbi Kushtetutë, mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe natyrisht që ne e dimë shumë se është një akt-akuzë që në radhë të parë është bërë në Kongresin e PS nga Edi Rama. Dhe është një akt-akuzë e diktuar në çdo element prej tij i cili për çështjen e ish-klubit sportiv Partizani, siç e dini të tërë është dhe personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për të bërë ndërtimin e destinacionit nga një destinacion sportiv në një destinacion për ndërtim. Por po të shikoni dosjen emri i tij nuk del atje, nuk del as te inceneratorët. Mund të dali funksioni, por emri i tij jo. Përpiqet që të përdorë prokurorë të caktuar, gjykatës të caktuar, pasi e dimë të gjithë që ka kontrolluar gjithë sistemin e Vettingut që të godasë opozitën e vërtetë dhe të shfokusojë opinionin nga skandalet qindra milionë Euro, që ai i bën çdo ditë”, u shpreh Meta.

Sipas kryetarit të PL, kjo forcë politike do të jetë gjithmonë e hapur për çdo hetim.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë të hapur për çdo hetim. Ne habitemi se si shumë çështje që deputetë, funksionarë, drejtues të Partisë së Lirisë apo opozitës i kanë depozituar në SPAK të cilat cënojnë interesin publik, që dëshmojnë korrupsion të faktuar nuk preken pavarësisht se për to kanë firmosur deputetë, emra të njohur publik. Sepse nuk duhet t’i prishet rehati Kryeministrit, kryetarit të bashkisë këtu apo funksionarëve të tjerë të besuar ende të Kryeministrit”.