Luljeta Lleshanaku u shpall “Poete Laureate” për dyvjeçarin 2023-2025. Poetes iu dha titulli “Poeti Laureat” me motivacionin “Për vargun e saj modern, larg metaforës së automatizuar duke e ndërtuar me ritëm e krahasim domethënien e frazës poetike, si dhe për krijimin e një brezi të ri poetësh”.
Nisma e iniciuar, nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për këtë vit pati në garë edhe 9 autorë të tjerë të poezisë shqipe (Flutura Açka, Sadik Bejko, Ervin Hatibi, Rita Petro, Preç Zogaj, Natasha Lako, Ilirian Zhupa, Entela Tabaku dhe Arian Leka).
“Poetët kanë misionin e një profeti, për ta përçuar letërsinë, poezinë edhe tek brezat e tjerë. Kur bëhet fjalë për një grua, përgjegjësia është e dyfishtë”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke nënvizuar se poezia është një mjet më shumë jo vetëm komunikimi, por edhe bashkimi mes njerëzish.
Në fjalën e saj, poetja Lleshanaku u ndal te vështirësia, për një autor shqiptar, për t’u bërë i pëlqyer për lexuesit vendës, nga botimi, tek promovimi në media, deri te përfshirja në tekstet shkollore, duke shprehur mirënjohjen ndaj lexuesve të saj.
“Një nga pjesët më të vështira për mua ka qenë përballja me lexuesin shqiptar. Pas botimit në vendin tënd, fillon një periudhë ankthi, sepse është e shumë e vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar, pasi pikërisht me të ti ndan të njëjtën histori, përditshmëri, dhe në të tilla rrethana nuk është e lehtë ta habitësh. Aq më tepër në një kohë që lexuesi është i rrahur me autorët më të mirë të letërsisë botërore. Në të tilla kushte, nëse ai të zgjedh ty është me të vërtetë për t’u vlerësuar”, u shpreh poetja Luljeta Lleshanaku gjatë ceremonisë për marrjen e titullit që iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Juria e drejtuar nga poetja nga Kosova Sibel Halimi kishte si anëtarë të tjerë shkrimtarin Ylljet Aliçka, gazetaren Arta Marku dhe botuesen Arlinda Dudaj dhe pedagogen e letërsisë, Dhurata Shehri.
Pas mbajtjes së kurorës si “Poet Laureat” nga autori Rudolf Marku gjatë viteve 2020-2022, Lleshanaku është e dyta Poete Laureate për Shqipërinë.
“Detyra jonë si institucion është të ngremë struktura që t’i shërbejnë kulturës, së bukurës, artit dhe uroj që kjo nismë të pasurohet në vite dhe të sjellë sa më shumë progres”, u shpreh drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli.
Gjatë këtij 2-vjeçari mbajtësi i titullit “Poeti Laureat” ka përgjegjësinë e ndërtimit të një strategjie personale për promovimin e vlerave të poezisë si dhe të hartojë një antologji me poezi, duke e zgjedhur ai vetë tematikën.
Poetja Luljeta Lleshanaku renditet mes emrave më të mirë të poezisë bashkëkohore në botë.
Disa nga vëllimet poetike të saj janë “Fëmija i natyrës”, “Hapësirë negative”, “Pothuajse dje”, “Homo antarcticus” etj.
Ajo ka një kontribut të çmuar edhe si përkthyese, ka sjellë në shqip gjithashtu disa vepra nga gjuha angleze si “E bija e varrmihësit” i Joyce Carol Oates, përmbledhja “Kur shpirti flet” i Helen Vendler, cikli poetik i Anne Sëir dhe Denise Levertov etj.