Nga Roma në Romë, Kristjan Asllani mbyll ciklin dhe ia rifillon me vrull. Nga protagonisti negativ i ndeshjes kundër verdhekuqve të sezonit të kaluar, që përfundoi me fitoren me përmbysje të skuadrës së drejtuar nga Mourinho, shqiptari u hakmor fundjavën e kaluar falë një çerek ore të shkëlqyer të fundit, teksa kontribuoi në fitoren e zikaltërve.
Rikuperim i shpejtë, me kokën lart dhe pasim preciz i gjatë për Dimarco. Krosim i përpiktë i këtij të fundit në zonën verdhekuqe, ku Thuram e devijon topin në gol. Kështu, Asllani e frymëzoi aksionin që i dha “oksigjen” Interit pas 81 minutash sulmesh të njëpasnjëshme, duke shlyer besimin që trajneri Inzaghi i dha.
“Asllani po rritet dhe duhet të ketë durim, por është mjaft i fortë dhe ka shumë cilësi”, – tha Calhanoglu menjëherë pas ndeshjes. Komplimentet për shqiptarin kanë ardhur edhe nga Inzaghi, i cili ka nënvizuar progresin e tij, pasi e ka aktivizuar në një sfidë delikate dhe ende në ekuilibër.
BESIMI DHE PROJEKTI – Vendimi për ta futur Asllanin në vendin e Calhanoglu për sulmin final flet shumë rreth besimit të trajnerit zikaltër, i cili nuk i kishte besuar shumë sezonin e kaluar ish-lojtarit të Empolit. Kristjanit nuk i dridheshin këmbët, ndryshe nga ajo që ndodhi pak më shumë se një vit më parë, në 77 minutat e tij të para si titullar me fanellën zikaltër.
Pastaj shkoi shumë keq, aq sa Inzaghi sugjeroi transferimin e Calhanoglu në qendër si zëvendës Brozovic. Këtë herë, qoftë edhe për rreth 20 minuta, përgjigja e shqiptarit ishte krejtësisht e ndryshme, në një kontekst që nuk ishte aspak i thjeshtë. “Jam i lumtur, – u shpreh Asllani në fund të lojës. – Dua të ndihem edhe më tepër protagonist, ndaj do të punoj shumë. Trajneri po më jep besim edhe në ndeshje kaq të rëndësishme, ndaj e falënderoj”.
Pak më shumë se një muaj më parë, në prag të debutimit të tij sezonal në Champions League, Inzaghi shpjegoi se si Asllani ishte një “lojtar i rëndësishëm dhe i gatshëm për të qenë titullar”. Ndaj Romës, trajneri nga Piacenza mori përgjigje të reja, të rëndësishme prej shqiptarit.
DUKE MËSUAR NGA CALHANOGLU – “Të mësosh nga një kampion si Calhanoglu është privilegj, ai më jep një ndihmë të madhe”, – shtoi Asllani. Po, sepse Inzaghi ka vendosur ta brumosë në rolin e “regjisorit”, duke e parë si zëvendësuesin e turkut, personit që mban çelësat e mesfushës së zikaltërve prej një viti.
Dhe Asllani po aplikohet në këtë rol me obsesion, duke tentuar të vjedhë çdo sekret të turkut. Nga trajneri te drejtuesit, brenda zikaltërve ekziston besimi se Asllani mund të bëhet një gur themeli i mesfushës së ardhshme përmes një rruge rritjeje që kalon domosdoshmërisht përmes aktivizimit më të madh dhe përgjegjësisë më të madhe.
Paraqitjet në krahasim me sezonin e kaluar, pas 13 ndeshjeve të para mes kampionatit dhe Champions League, janë të njëjta (8), por deri tani Asllani ka gjetur më shumë hapësirë në Evropë, duke qenë 75 minuta në fushë, në tri ndeshjet e para të fazës së grupeve, kundrejt vetëm 15 minutave në edicionin e kaluar.
Deri më tani, e vetmja herë që ka pasur telashe ka qenë në “San Sebastian”, ku megjithatë e gjithë skuadra zikaltër kishte një mbrëmje të komplikuar. Objektivi minimal është që të paktën të përsëriten 29 paraqitjet e vitit të parë në Milano, ndoshta duke rritur kohën e lojës në krahasim me 858 minutat në total të një viti më parë. Por me këtë ritëm nuk duhet të jetë problem. Nëse Asllani është ai që u pa në çerek orëshin e fundit ndaj Romës, do të fillojë ta shohë më me këmbëngulje fushën e lojës./Gazzetta dello Sport